Nga Jane Perlez, “The New York Times”, 1 Qershor 1996/Kur një aparatçik i panjohur, me një reputacion të madh në fushën e mjekësisë, u shfaq si një negociator kyç në rënien e qeverisë më të egër komuniste të Evropës, Uashingtoni besonte se kishte gjetur njeriun e tij në Ballkanin e paqëndrueshëm. Ai dinte të fliste për demokracinë, dhe të shpjegonte se si ndërtohej një ekonomi tregu.
Ishte i etur ta bënte vendin e tij të prapambetur, një bazë të interesave ushtarake amerikane. Por dalëngadalë gjatë viteve të fundit, Sali Berisha, 51 vjeç, nisi të tregonte instinktet e tij të vërteta autokratike.
Javën e fundit, ai i shpalosi ato hapur për t’i parë të gjithë. Pas atyre që diplomatët po i quajnë si zgjedhjet më të manipuluara të epokës postkomuniste në Evropë, të pasuar nga rrahja dhe arrestimet e mbështetësve të opozitës nga forcat speciale të policisë, presidenti Berisha nuk ndjen se duhet të kërkojë ndjesë.
“Ngjarje të tilla nuk janë të gëzueshme, por ndodhin kudo”- tha Berisha gjatë një interviste që më dha sot në zyrën e tij, me pamje nga një kopsht i harlisur i stilit Mesdhetar.
“Ne kemi sot një forcë të pakualifikuar policore. Shtetet e Bashkuara duhet të kuptojnë, se në fushatat e saj zgjedhore keni pasur vrasje kandidatësh!”. Ai tha se ndihej i lehtësuar, që gjatë sulmeve policore në sheshin kryesor të kryeqytetit më herët gjatë javës, “ne nuk kemi pasur të vdekur”.
“Policia pati një urdhër të qartë, për të mos gjuajtur me armë”- tha ai. “Human Rights Watch”, grupi me qendër në Nju Jork, i bëri thirrje qeverive të Shteteve të Bashkuara dhe qeverive evropiane, t’i shpallin të pavlefshme zgjedhjes e së dielës së kaluar në Shqipëri.Bashkimi Evropian, bëri thirrje për një përsëritje të procesit në disa zona elektorale. Dështimi i Berishës për t’iu përmbajtur disa parimeve bazë të demokracisë gjatë zgjedhjeve parlamentare, nuk është befasi për shqiptarët që e njohin atë.
Dhe nuk është për t’u habitur për cilindo që e ka dëgjuar atë në tubimet e fushatës elektorale, ku nëpërmjet zërit të tij të kumbues i ka denoncuar partitë opozitare si një “front i kuq” që synon rikthimin e së kaluarës.
Në fakt, politika e jashtme dhe programet e brendshme të partive kryesore që konkurrojnë në zgjedhje në Shqipëri, favorizojnë avancimin e ekonomisë së tregut, dhe mbajtjen e lidhjeve të forta me Perëndimin. Për shqiptarët, linja gjithnjë e më e ashpër e Berishës, duket të jetë një kthim pas tek një e shkuar e pakëndshme.
“Katër vjet më parë, Berisha do të shpallte veten mbret si Zogu”- thotë shkrimtari Fatos Lubonja, i cili ka vuajtur 17 vjet burgim, pasi babai i tij kishte mbajtur më herët postin e drejtorit të televizionit shqiptar, nën udhëheqjen komuniste të Enver Hoxhës.
Zoti Lubonja i referohej mbretit Zog, një president i krahut të djathtë në periudhën midis dy luftërave botërore, i cili e shpalli veten monark dhe sundoi vendin me dorë të hekurt.
Tashmë, Shqipëria e presidentit Berisha mbart shenjat e një sundimi njëpartiak. Që kur u bë president katër vjet më parë, ai ka mënjanuar, dhe në disa raste dëbuar apo burgosur, ata që kanë punuar me të për të themeluar Partinë Demokratike.
Ai mbështetet aktualisht tek ish-pjesëtarët e rrethit të brendshëm të Enver Hoxhës, përfshirë Mehmet Elezin, udhëheqësin e Lëvizjes Rinore Komuniste nën diktatorin Hoxha, tani këshilltari kryesor politik i presidentit Berisha.
Berisha këmbëngul se në vend mbizotëron liria e shtypit. Por gazetarët janë arrestuar dhe plasur në burg. Mbrëmjen e zgjedhjeve, shtypshkronja qeveritare refuzoi të botojë dy gazetat kryesore të opozitës.
Si doktor i ri, atij iu lejua një udhëtim i rrallë jashtë vendit – për studimet e specializuara për kardiologji në Paris më 1978. Berisha qëndroi atje rreth 1 vit, duke e përsosur frëngjishten e tij. Pas kthimit nga Parisi, ai u bë mjek personal i Enver Hoxhës, dhe kreu i Partisë Komuniste në spitalin kryesor të Tiranës.
Berisha u shpreh se heronjtë e tij politikë ishin Churchill dhe Kennedy. Ai përmendi Churchill, pasi ishte “një gjeni”, që guxoi të “rezistonte për lirinë”. Nëse Berisha po nënkuptonte një krahasim mes tij dhe Churchill, kritikët e tij shqiptarë, nuk do të shihnin asnjë të përbashkët mes tyre.
Për ta, presidenti është duke u shndërruar në një tjetër diktator ballkanik. Shtetet e Bashkuara, theksojnë ata, e kanë favorizuar Berishën me ndihmë ushtarake – duke përfshirë rinovimin e ushtrisë së tij me gjithçka, nga orët e dorës tek uniformat, dhe së shpejti disa armë – sepse ai ka ndihmuar në mbajtjen ulur të tensioneve në provincën e Kosovës në Serbinë jugore.
Berisha i ka inkurajuar shqiptarët etnikë, që janë shumicë atje, të qëndrojnë pasivë ndaj autoriteteve serbe. “Shtetet e Bashkuara janë treguar dritëshkurtër me Berishën”-paralajmëroi zoti Lubonja. “Kur nuk do të mundë të përdorë më anti-komunizmin për të qëndruar në pushtet, ai do të përdorë nacionalizmin. Do të jetë si Millosheviçi në Serbi. Ai është në gjendje të ndryshojë fenë, miqtë dhe armiqtë e tij për të qëndruar në pushtet. Enver Hoxha u prish me sovjetikët dhe më pas më Kinën për të qëndruar në pushtet. Unë jam i sigurt, se Berisha do të prishet me Shtetet e Bashkuara për të njëjtat arsye”.
PËRSHTATI TIRANA TODAY