Në një konferencë të përbashkët me kancelarin austriak, kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Austri, foli për një situatë shqetësuese qe lidhet me emigracionin e paligjshëm.
Në fokus të bisedimeve të dy kryeministrave, Rama dhe Kurz, ishte edhe kjo temë, për të cilën Rama tha:
“Kemi një fluks që rritet në mënyrë shqetësuese po për momentin ka qenë tërësisht i kontrolluar prej nesh por na duhet bashkëpunim i ngushtë dhe i menjëhershëm për të shmangur skenat që tronditën Evropën në vitin 2015 dhe kemi dakordësi të plotë për një bashkëpunim të ngushtë me Austrinë dhe vendet e tjera të interesuara për këtë proces”.
“Kryeministri më ka kërkuar ta mbështesë dhe i kam thënë që do e mbështesim fortë Shqipërinë, mbështetje financiare për Shqipërinë po dhe vende të tjera që të luftojmë migracionin ilegal. Do e mbështesim dhe në marrëdhëniet bilaterale, me policë të rinj. Së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme do të marrim kontakt me kryeministrin, që së bashku me partnerë të tjerë të BE të ndjekim një rrugë bilaterale që fluksin e emigrantëve ta ndalojmë para se të shtohen më shumë”, tha Kurz për këtë çështje.
Kryeministri Rama foli për projektin e tregut të përbashkët të Ballkanit, të nisur prej tij dhe Vuçiç dhe mbështetjen e Austrisë në këtë projekt.
“Kemi folur dhe për pritshmërinë tona nga presidenca austriake e BE në 6 muajt e ardhshëm dhe dëshirojmë që të bashkëpunojmë për të shtyrë më tutje projektin tonë të lançuar nga unë dhe presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandër Vuçic për tregun e përbashkët në Ballkanin Perëndimor gjë për të cilën jam falënderues që kryeministri ka shprehur interesin dhe mbështetjen e tij”, tha Rama.