Nga Andi Bushati/Mbrëmja e së hënës ka shënuar një zhbalancim ekuilibrash në lojën mes palëve në dosjen e audio-përgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm. Nga njëra anë, opozita që kishte paralajmëruar nxjerrjen e fakteve dhe provave të reja në emisionin “Ajsberg”, nuk ka arritur të surprizojë askënd.
Programi i Artur Çanit i cili kishte renditur shumë mirë sfondin dhe kronologjinë e ngjarjes, nuk ka sjellë dot fakte të reja për të na bindur për thelbin kryesor të kësaj çështjeje: se Agron Xhafaj ka vazhduar aktivitetin e trafikut të drogës edhe gjatë kohës që vëllai i tij i madh kryente detyrën e ministrit të Brendshëm.
Nga ana tjetër, pothuajse në të njëjtën kohë me Ajsbergun, kryeministri që nuk i shpëton dot etheve të audiencës dhe luftës ndaj gjithçkaje tjetër që tërheq vëmendjen prej monologjeve të tij, është shfaqur në një intervistë në “Abc Neës”.
Rama e ka shfrytëzuar këtë dalje për të lëshuar një sfidë të vështirë: “nëse audio-përgjimi rezulton i vërtetë unë duhet të rishikoj qëndrimin tim”, ka thënë ai. Natyrisht, arsyetimi i Ramës kishte gropa të shumta. Ai nuk përmendi sërish agjencinë e huaj tek e cila u mbështet për të shpallur manipulimin.
Natyrisht ai nuk ishte në gjendje të shpjegonte se ku e kishte gjetur zërin e Agron Xhafajt për t’ia shpënë kësaj agjencie. Natyrisht ai bëri një gafë duke thënë se ekspertiza që e kishte garantuar atë, ishte bërë përmes regjistrimeve të marra nga transmetimet televizive, ndërkohë që specialistët thonë se është një mision i pamundur të mbërrish në përfundim duke u nisur nga të dhëna të tilla.
Po t’i fusësh deklaratat e Ramës në një sfond më të gjerë dhe më të shtrirë në kohë, besueshmëria e tij bëhet edhe më e vogël. Në po të njëjtën mënyrë kryeministri ynë ka krijuar alibi për avionët e drogës, për Dritan Zaganin, për Elvis Roshin, për Saimir Tahirin ndaj kredibiliteti i përbetimeve të tij mund të vlerësohet shumë pranë zeros.
Por, ajo që është e rëndësishme në intervistën e Ramës në ABC ishte propozimi i tij për t’i konsideruar si të pabesueshme institucionet e vendit që drejton. Ideja për t’ia shpënë audio-përgjimin origjinal një agjencie prestigjioze ndërkombëtare, të vendeve partnere perëndimore nxjerr automatikisht nga loja edhe prokurorinë e kapur nga socialistët edhe laboratorët e një policie të drejtuar nga Fatmir Xhafaj.
Pra, premtimi se kjo histori do të quhet e mbyllur vetëm pasi një institucion me prestigj ndërkombëtar të japë verdiktin e tij është një lëvizje që duhet mbajtur shënim.
Ashtu siç ndodhi me 21 janarin, kur u desh raporti i FBI-së që të mësonim të vërtetën për vrasësit e katër demonstruesve edhe tani vetëm një organizëm i përmasave të tilla, mund të na tregojë se nga anon e drejta.
Për sa kohë që Edi Rama nuk e ka në dorë këtë certifikatë të besueshme ai do të konsiderohet fajtor, jo vetëm për qëndrimet e dyshimta që ka mbajtur këto ditë, por për të gjitha gënjeshtrat që prodhon prej pesë vitesh.
Për sa kohë që ai nuk siguron shpejt dhe brenda një kohe logjikisht të arsyeshme dokumentin që mbështet tezën e manipulimit të përgjimit, ai do të duhet të mbajë premtimin për të rishikuar pozicionin e tij. Dhe ky rishikim nuk ka të bëjë me të ardhmen e Fatmir Xhafajt, por drejtpërdrejt me fatin e tij.
Por ama, nëse do të arrijë të sigurojë një dokument serioz, të vulosur nga agjenci ndërkombëtare të besueshme, kryeministri nuk do t’ia hedhë lumit vetëm për dosjen e Agron Xhafajt. Ai do ta rrënojë në mënyrë të gjatë dhe ndoshta të pakthyeshme, besueshmërinë e kësaj opozite.
Prandaj e vetmja rrugë për të zgjidhur enigmën e dosjes së “dëshmitarit X” është verdikti i një institucioni si ai i FBI-së për 21 janarin. Rama e ka si detyrim ta tregojë atë që ka premtuar Përndryshe ai njolloset për gjithçka. (Lapsi.al)