Kryeministri Rama vijon të njëjtin avaz. Pas qëndrimit të ambasadorit Lu lidhur me përdorimin që i bën kreu i qeverisë emrit të tij, Rama thotë se ai shpreh atë që mendon sa i përket ambasadorit amerikan.
Rama ka reaguar në një status në rrjetin e tij social Facebook, që më shumë i ngjason një filozofimi dhe përçartje se sa një qëndrimi dinjitoz të një kryeministri.
Ai duket sikur është stepur deri diku kur thotë se ai flet për veten e tij, veçanërisht në rastin e fundit kur përdori Donald Lu për të mbrojtur të vëllanë e Fatmir Xhafajt, të dënuar për trafik, por sërish lë të kuptohet se do të flasë për ambasadorin amerikan sa herë t’ia lypë nevoja.
“Patjetër që unë flas për veten time dhe miku ynë Lu flet për veten e vet? Dhe krejt normalisht, është puna ime të them atë që mendoj kur flas lidhur me të, siç është puna e tij të thotë atë që mendon kur pyetet lidhur mua”, shkruan Rama në rrjetin e tij social në Facebook.
Ndërkaq më herët, duke parë përdorimin e shpeshtë të emrit të ambasadorit Lu për të mbrojtur aferat korruptive por edhe të inkriminuarit që janë të lidhur me ministrat e kabinetit Rama, ka reaguar vetë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
https://tiranatoday.com/e-perdori-ramareagon-lu-mjaft-u-mbrojte-nen-emrin-tim/
Donald Lu ka dashur t’i thotë mjaft përdorimit të emrit të tij duke iu drejtuar kryeministrit, se “Rama të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tonë. SHBA po shqyrton akuzat për vëllanë e Fatmir Xhafajt”, tha Lu.