Gugash Magani pasi u shkëput nga Teuta nuk vazhdoi më eksperiencën si trajner në Shqipëri, por vendosi për të provuar diçka të re duke zgjedhur Kosovën. Ai ishte një ndër afrimet më të bujshme në kampionatin kosovarë kur mori drejtimin e Trepçe89. Magani së bashku me Bledi Shkëmbin, Mirel Josën, Bledar Devollin e së fundmi Sulejman Starovën, janë trajnerët e vetëm nga Shqipëria që drejtojnë skuadra të Vala-Superligës.Në një intervistë për “RTSH Sport”, Gugash Magani është shprehur për aventurën e ri në Kosovë, ndërsa shprehet se djali i tij, Artur Magani është rritur në aspektin sportiv me largimin nga Superiorja.
“Ofertën ma bëri presidenti i Trepçës, pas ndarjes time me Teutën. Nuk isha larguar ndonjëherë nga Shqipëria, megjithatë edhe këtu në Kosovë ndihem si në vendin tim, pasi banohet nga shqiptarët. Kthehem çdo fundjavë në Shqipëri pasi kam familjen dhe të afërmit. Faktikisht, të gjithë trajnerët shqiptarë në Kosovë janë të mirë dhe nuk dua të veçoj asnjë prej tyre. Kam marrëdhënie të mira me ta dhe me disa prej tyre kam punuar më parë.Djali im, Artur Magani, nga momenti që jam ndarë si trajneri i tij te Teuta, kontaktoj si babai me djalin. Jam shumë i kënaqur me performacën e tij në Kosovë dhe mund të them se është rritur shumë që nga Shqipëria. Ndoshta këtu ka të bëj edhe mosha. Ndërsa marrëdhëniet e mia me Shkëmbin janë më të ftohta, pasi meqë është trajneri i djalit tim, mund ta fus në siklet. Faktikisht në Kosovë nuk ka shumë presion, por nëse një ekip nuk ka presion, atëherë nuk ka pritshmëri pozitive. Sigurisht, këtu flas për presionin pozitiv që i shërben për adrenalinë skuadrës.
Superioren vazhdoj ta ndjek, pasi është futbolli i vendlindjes time. Shpresoj që Teuta të mbijetoj, pasi në atë vend ku është tani ndiej edhe unë përgjegjësitë e mia dhe nuk e meriton realisht. Sa i përket Skënderbeut, mund të them se nuk do ta mendoja Superioren pa këtë ekip. Korçarët na kanë bërë krenarë me paraqitjet e tyre në Europë”, është shprehur Magani.