Rikthimi duarbosh nga Gjermania e ka shastisur Edi Ramën. Pritja e ftohtë që i bëri kancelarja Merkel duke e lënë me gisht në gojë se hapja e negociatave kërkon plotësimin e parakushteve nga ana e Shqipërisë e ka bërë kryeministrin të humbasë komplet toruan.
Për këtë arsye, këto ditë është munduar në të gjitha mënyrat për ta zbutur sa më shumë këtë tronditje. Edhe sot iu rikthye një instrumenti të vjetër, i përdorur nga mëtonjësi i tij politik, Fatos Nano.
KPD-ja e 2001
Edi Ramës iu kujtua sot dhjetori i vitit 2001, kur Fatos Nano zhvilloi me dyer të hapura një debat të ashpër përplasjesh brenda radhëve të Partisë Socialiste në Këshillin e Përgjithshëm Drejtues, duke lëshuar një lumë akuzash ndaj vetë eksponentëve të kësaj force politike.
Kreu i sotëm i Partisë Socialiste, Edi Rama, ndryshe nga Nano, zotëron edhe selinë rozë edhe postin e kryeministrit. Sot i rastisi të mblidhte Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku si në çdo Asamble tjetër e kthen në monolog të pambarimtë.
Nga podiumi i Asamblesë Rama filloi të shigjetojë një nga një disa nga figurat e Partisë Socialiste, megjithëse jo ata që bartin peshën më të madhe në këtë parti.
“Spiropali”
Megjithatë, Rama tentoi të përdorë KPD-në e dikurshme të Fatos Nanos, kur iu drejtua Elisa Spiropalit se nuk e kishte bërë punën si duhet në aspektin e bashkëqeverisjes dhe koordinimit me kryetarët e rretheve.
Me këtë akuzë kreu i PS-së ia zbehu Spiropalit gjithë servilizmin e saj të derisotëm kur Ramën e cilësonte në fushatën elektorale si Skënderbeu i dytë.
Po ashtu Rama iu vërsul edhe deputetëve në qarqet e tyre se cila duhet të jetë puna që duhet të bëjnë dhe si duhet të sillen me votuesit e tyre dhe problemet e qytetarëve.
“Prisja nga Elisa Spiropali të thoshte sot atë që është ngarkuar të bëjë, të thoshte sot se cilët kryetarë të PS duhen shkarkuar që sot, që platformën e bashkëqeverisjes ta vënë në dispozicion të njerëzve që rrinë rrugëve për të kapur miq e shokë për të nxjerrë një hipoteke. Deputet nuk janë zyra pune, as në mundësinë dhe përgjegjësinë të marrin përdore çdo njeri që ka problem me administratë dhe ta zgjidhin se është e pamundur, ashtu si deputetëve u duhet dhënë mundësia të kenë pikën e referimit ku duhet t’i drejtojnë njerëzit. Kryetarët ku janë, nuk u kanë dhënë detyrën të merren me punësime, ka që e bëjnë, duhen hequr, nuk u ka dhënë njeri detyrën të bëjnë ndërmjetësime, për të rregulluar tërë farefisin, duhen shkarkuar se njerëzit nuk janë qorra e shurdhe dhe nuk u duhet se ca thotë Rama në televizor. Elisa nuk e beri këtë, nuk ka bërë detyrën si duhet. Kjo është e vërteta. Dhe unë shpresoj ta bëjë”- tha Rama.
Nepotizmi
Pas Spiropalit Rama filloi ta shtrijë hartën e akuzave në rrethe duke iu bërë thirrje kryetarëve të Partisë Socialiste në qarqet përkatëse që t’i thërrasin mendjes pasi ndryshe do të përfundojnë jashtë strukturave.
Rama tentoi të lërë përshtypjen se po lufton nepotizmin në administratën, ashtu siç bëri edhe Fatos në spektaklin e tij të 2001.
“Duhet të shohim se cilat ndryshime duhen bërë në kryesi, të ikin ata që nuk kanë punuar dhe të vijnë të rinjtë. Nëse kryetarët e PS-së në rrethe s’kanë punuar për komunitetin do të largohen. Do të vlerësojmë se sa i shtrirë është rrjeti familjar në administratën lokale. Ose kushërinjtë ose kryetari. Ose kryetari të kalojë të punojë në sektorin privat dhe të punojnë kushërinjtë. Ose të largohen kushërinjtë dhe të punojë kryetari. Duhet të thërrasim komunitetet se çfarë mendojnë për kryetarët e bashkive. Kjo është koha e bashkëqeverisjes digjitale. Kush e ka përgjegjësinë për punët që bllokohen Kush e ka përgjegjësinë që në Çorovodë nuk jepet ndihma ekonomike për familjet se këshilltarët e PS nuk shkojnë në votim. Kush e ka përgjegjësinë? Apo ata që flirtojnë me kryetarët e bashkive. Ky është mentaliteti që na la Saliu”, theksoi kreu i PS-së.
Shkulja e veshit
Pas lumit të akuzave kundrejt eksponentëve të Partisë Socialiste, Rama u ndal tek autokritika lidhur me qeverisjen e cila sipas tij po rrezikon të etiketohet pa shkak si arrogante. Ndërsa përmendi ngjarjen e Kukësit e cila e trandi aq shumë sa ende nuk e ka marrë veten.
Por, mesa duket kryeministrit Rama iu kujtua këshilla e mikut të tij artist, Fate Velaj, i cili sugjeroi për një vetëshkulje të veshit për të reflektuar mbi atë që bën çdo pushtetar në 365 ditë të vitit.
“Jemi përballë kërcënimit që ne të etiketohemi përfundimisht si arrogantë, pse thonë njerëzit që ne qeverisim me arrogancë, ta kuptojmë dhe ta ndajmë, cila pjesë e qeverisjes sonë cilësohet arrogante se është e drejtë dhe bëjmë reforma të dhimbshme dhe cila pjesë është padrejtësisht arrogante me njerëzit, këtë duhet ta ndajmë, Kukësi ishte mësim shumë i madh për të kuptuar përgjegjësinë tonë, për të kuptuar çfarë nuk bëmë si duhet për të mos u përsëritur gabimi që duke u nisur për qëllim të mirë, pa e shpjeguar qëllimin të gjendesh përballë një reagimi që të lë në ballë etiketën e arrogantit. Që do të thotë ne nuk duhet të kalojmë më ligje të asnjëlloji pa i bërë me parë transparente për publikun, nuk është detyra e njerëzve të rrinë me celular në dorë që ti kërkojnë është detyra jonë ti nënvizojmë çfarë po bëjmë”- tha Rama.
E gjitha kjo e sotmja ishte një spektakël politik i Edi Ramës ashtu si i shumë herëve të tjera, që mbetet thjesht në ekran dhe nuk sjell asnjë produkt politik, duke na rikujtuar skenat e vjetra të KPD-së së dikurshme të liderit historik të së majtës Fatos Nano, që sot e shijon nga televizori atë që dikur e orkestronte me duart e tij.
TIRANA TODAY