Zyra e kryeministri sot ka publikuar listën me emrat e 17 që kanë aplikuar në garën për të qenë gjyqtari i ri i Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Ndër to është edhe emri i avokatit Asllan Karaj. Ky i fundit mund të themi se ka një histori të trishtë që rëndon mbi shpatullat e tij. Nga katet e nëndheshme të ferrit të minierës së Bulqizës në metropolin e drejtësisë perëndimore, Lozanë, kryeqytetin zviceran të autoriteteve më të larta gjyqësore dhe hetimore të vendit, Asllan Karaj ka ngjitur katet më të papërfytyrueshme të lartësisë së një djaloshi të fundosur nga diktatura dhe të rilindur nga liria.
Ai ka një studio private e para dhe e vetmja që ka një shqiptar në Zvicër ku ka dhënë një intervistë për “Zëri i Shqiptarëve”, për raportet e tij me të shkuarën e të ardhmen, me atdheun dhe me vendin ku jeton, problemet e sotme të rritjes kombëtare të shqiptarëve si në Diasporë ashtu edhe në atdhe, problemet e brezit tonë të ri përballë sfidave perëndimore, problemet e drejtësisë shqiptare e plot të tjera.
-“..kur ti mbron të drejtën e bashkombasve tuaj që nga portat e administratës shtetërore e deri në kupolat e gjykatave federale kjo të bën më të vërtetë që të ndjehesh krenar. Dhjetëra e dhjetëra kolegë, të njohur e miq të mi të asaj kohe kanë dhënë jetën nëpër galeritë e pafundme e skëterrshme të minierës. Jeta ime sot është një dhuratë, pasi dhe unë mund të kisha pësuar fatin e tyre.
Sfida e parë dhe më e madhe e një njeriu që vjen nga diktatura dhe një shoqëri gjysmë e dhunshme e gjysmë anarkike, është ambientimi me hapësirën e lirisë. Një diasporë uniforme, pa profil, me fuqi ekonomike të kufizuar pavarësisht numrit e ka të vështirë të faktorizohet. Unë mendoj se vetëm ndonjë personalitet me fuqi ekonomike dhe formim njerëzor solid mund të marrë përsipër në një çast të caktuar përfaqësimin e diasporës shqiptare në Zvicër.
Nuk duhet të harrohet se sistemi zviceran ofron shumë avantazhe që duhet t’i shfrytëzojmë në të mirën tonë. LDK-ja, PDK-ja PS-ja, PD-ja apo tjerat janë parti elektorale në Shqipëri e Kosovë. Me to konkurrohet në atdhe. Këtu konkurrohet me partitë zvicerane.
Hapja e dosjeve do të ishte gjëja më fisnike dhe bujare që mund të bënin shqiptarët menjëherë pas ndryshimeve politike në fillim të viteve 90të. Ishte e thjeshtë dhe e domosdoshme të fillohej mbarë dhe demokracia të fillonte e mbështetej në baza të shëndosha dhe jo standartet e saj të përcaktoheshin nga dosjexhinjtë e Partisë së Punës.
Drejtësia është pushteti më i rëndësishëm në demokracitë e sotme, pa të shteti nuk ekziston. Shkalla e demokratizimit të një vendi treguesin kryesor ka drejtësinë”.
I pyetur nga Skënder Buçpapaj se: Diktatura ju dërgoi në minierën e Bulqizës, menjëherë pas gjimnazit. Sot jeni doktor në shkencat juridike. A ndjeni kështu veten një feniks të ardhur nga Lufta e Ftohtë që e ka realizuar veten në Konfederatën Helvetike?
ASLLAN KARAJ: Pyetja është interesante pasi përmbledh në vetvete disa dekada me ngjyrime shumë të forta në jetën time. Sigurisht nuk ka gjimnazist me rezultate të mira që nuk ëndërron të shkojë më tej në rrugën e studimeve. Bukuria e asaj moshe qëndron pikërisht në kapacitetin e lartë të ëndërrimit, i cili shpesh është i pabazuar në realitet. Por pa ëndrra nuk ecet përpara sidomos kur je i përjashtuar nga shoqëria. Edhe unë si çdo i ri shqiptar i asaj kohe ia kushtova mësimit dhe ëndrrës sime të shkollimit shumicën e energjive të mia. Në fund të vitit të katërt rezultatet e mia ishin ndër më të mirat e asaj mature.
Por… ëndrrat e mia universitare si dhe të vëllezërve dhe motrave të mia, u thërrmuan para murit dhe telave me gjemba të luftës së klasave. Zhgënjimi ndoshta do të kishte qenë shumë më i madh, sikur të mos na ishte krijuar bindja nga im atë, një njeri i urtë dhe i ditur, virtyte që i kushtuan vite të tëra burgu, që ai regjin arkaik do të shembej. Zëri i Amerikës na informonte dhe ngushëllonte çdo mbrëmje.
Babai atë e përdori si mjet edukativ për të përforcuar bindjet e tij antikomuniste tek ne, që ishim të rinj, për të kuptuar bëmat e poshtra të regjimit të kohës, dhe për të na dhënë forca për të sfiduar shkallën e lartë të izolimit të klikës bolshevike të E. Hoxhës. Gjithë të mençurit të këshillojnë për durim dhe punë. Më vjen ndër mend një shprehje e Presidentit Rugova që thotë: “Në fillim duhet durim, gjërat e mira vijnë më vonë”. Dhe më të vërtetë ai durim bëri që Kosova shkruaji faqen më të ndritur të historisë së saj, duke realizuar ëndrrën e brezave të tërë.
Miniera e Bulqizës, njëra ndër më të mëdhatë në vend, sigurisht edhe njëra ndër më të vështirat, qe shndërruar në një kantjer të madh pune për mijëra punëtorë të skllavëruar, pasi kromi ishte ndër gjërat e rralla që eksportonte Shqipëria dhe që mbante regjimin në këmbë. Galeria e pafund e tipave, karaktereve që punonin aty do të kishte qenë një pasuri e rrallë, sidomos për njerëzit e botës së letrave. Për mua ata ishin kolegë, miq me të cilët hyje në zemër të tokës, nga ku shpesh edhe nuk dilej më.
Dhjetëra e dhjetëra kolegë, të njohur e miq të mi të asaj kohe kanë dhënë jetën nëpër galeritë e pafundme e skëterrshme të minierës. Nëse nganjëherë në jetën time të sotshme vërehet ndonjë shkujdesje kalimtare, kjo ka të bëjë pikërisht me të kaluarën time në minierë. Jeta ime sot është një dhuratë, pasi dhe unë mund të kisha pësuar fatin e tyre. Megjithatë, miniera nuk mund të përbënte stacionin tim përfundimtar.
Në vitin 1992, pas shumë vitesh shkëputje – 12 vjet, unë fillova studimet në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Drejtësisë. Shqipëria e varfër, ndërrimi i zhurmshëm i sistemeve, rënia e nivelit në sistemin arsimor, bënë që unë të mendoja se studimet e mia do të kishin nevojë të thelloheshin. Duhet thënë se puna në kabinetin e Presidentit Berisha më ka ndihmuar për të gjetur vendin dhe shkollën e duhur dhe kjo ishte Zvicra, ëndrra e rilindasve tanë, ëndrra e atyre që donin dhe kishin sakrifikuar që Shqipëria të mund të bëhej si Zvicra.
Fati ishte tashmë në anën time. Kisha sfiduar me sukses në moshë të re të gjitha padrejtësitë e regjimit me shumë sakrifica me gjithë prindërit, motrat dhe vëllezërit e mi. Ishte mbyllur një dritare e vogël për t’u hapur më vonë një portë e madhe. Gjithmonë fati im ka qenë i tillë që gjithmonë kam qenë i detyruar të shkoj deri në fund të tunelit për të prekur ëndrrën time, për çka sakrificat më janë shpërblyer. Kjo është një nga anët që të ndihmon ta duash jetën e të jep kurajën të vazhdosh më tutje. Gjendja dehëse e kënaqësisë për arritjet ka kaluar, ndërkohë që krenaria e mirënjohja ndaj vetes sime ka ngelur ende.
Asnjëherë nuk e kam menduar që nga tunelet e lagështa e të ftohta të minierës, ku forca shpërthyese e tmerrshme e minave që simbolizonte fytyrën e atij regjimi të dhunshëm, ta gjeja veten time mes shkresave të mia që kanë të bëjnë me të drejtën e një demokracie planetare siç është e drejta zvicerane me të cilën unë kam të bëj në punën e përditshme.
Nuk dua dhe nuk ia lejoj vetes të vë shenja barazie, por është e vërtetë që më shumë punë, vullnet e fat njeriu mund te arrijë gjëra të pakëndueshme, ndonëse në fillim të duken si barriera të pakapërcyeshme.
Kështu që, megjithëse emërtimi feniks për modesti më vë në një pozitë të parehatshme, mund të them se kalimi i kaq qiejve, të ndryshëm e të shirosur, të errët si ata të minierës dhe të xhindosur si ata të diktaturës, për të mbërritur në qiejt e qetë e të kthjellët të Zvicrës, vërtet të kujton atë zog të famshëm, feniksin që rilind nga hiri i vet”. TIRANA TODAY