Ditën e sotme Edi Rama megjithëse erdhi vonë në Kuvend mori fjalën dhe foli për Komisionin Evropian për rekomandimin dhe për nisjen e negociatave.
Rama gjithashtu kërkoi dhe ndihmën opozitës për të ecur përpara. E ndërsa foli për reformën në drejtësi dhe vetingun, Rama tha se nuk do të mjaftoi vetëm largimi i gjykatësve dhe prokurorëve, ashtu si dhe politikanët, por do të përballen me drejtësinë e çliruar nga të korruptuarit.
“Nuk do të mjaftojë që këta gjykatës e prokurorë të largohen, por do duhet të përgjigjen, ashtu sikundër do duhet të përgjigjen politikanët, zyrtarët e lartë e pa diskutim të gjithë shkelësit e tjerë të ligjit përballë një drejtësie të çliruar nga të korruptuarit dhe të zgjidhur nga zinxhirët e ndryshkur që po këputen të kapjes për fyti të drejtësisë prej politikës”, tha Rama.
Teksa vazhdonte të fliste në Kuvend për reformën në drejtësi dhe procesin e vetingut, ka ndërhyrë duke folur nga vendi deputeti Tom Doshi.
“Edhe ti do ta bash vettingun!”, mësohet të ketë thënë Doshi, teksa Rama thjesht i hodhi një shikim pa reaguar dhe duke vijuar të fliste për bashkëpunimin e opozitës.
Pak ditë më parë Departamenti Amerikan i Shtetit denoncoi publikisht deputetin shqiptar Tom Doshi sipas ligjit amerikan, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion në nivel të lartë.
Por Doshipasi mbaroi seanca në një deklaratë për mediat, foli edhe njëherë për Vettingun dhe tha se duhet bërë për politikanët
“Nëse vijon kështu i bie me kaluar të gjithë ‘non grata’, të prononcohet edhe DASH për akuzën që më ka bërë. Nëse bëhet Vettingu dhe politikë nuk mbetet asgjë gjysma në parlament. Të fillojnë të hetohen nga shkollimi i fëmijëve jashtë ku janë të ardhurate këtyre politikanëve, vilat, makinat, jeta e luksit dhe ta shohim si del”, tha Doshi jashtë ambienteve të Kuvendit.