Hashim Thaçi ka ushtruar dje funksionin e “Komandantit Suprem”, veçse jo me ushtri por me disa njësi policore. Burime të Gazetës Express thonë se Presidenti ka urdhëruar policinë që ta tërheqin zvarrë Marko Gjuriçin në qendër të Prishtinës. A është kjo pjesë e një skenari më të madh – të nisur nga Rama dhe Vuçiç dhe i miratuar nga Thaçi – për shkëmbin territoresh mes Kosovës dhe Serbisë?
“Dhoma e Situatave” dje është zhvendosur në Presidencë, ku Hashim Thaçi i ka marrë krejt përgjegjësitë e aksionit për arrestimin e Shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç.
Burime të Gazetës Express thonë se Thaçi ka mbledhur në zyrën e tij zv.kryeministrin Behgjet Pacolli, ministrin e Brendshëm Flamur Sefa dhe drejtorin e Policisë. Ai aty ka dhënë instruksione se si të veprohet në Veri, ku edhe u dërguan forcat elite të policisë.
Një zyrtar i pranishëm në takim ka treguar në kushte anonimiteti për dy orët dramatike – nga momenti i hyrjes së Gjuriçit në Kosovë e deri te sjellja e tij në Komandën e Policisë.
Sipas këtij burimi, Thaçi ka pasur një telefonatë me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuqiq, me të cilin kohët e fundit ka krijuar një relacion interesant.
“Vuçiç e ka kërcënuar Thaçin se do ta sjellë ushtrinë në kufirin me Kosovën”, ka treguar një zyrtar për Express.
Pas kësaj telefonate, Thaçi ka urdhëruar policinë që ta sjellin në Prishtinë zyrtarin e lartë serb. E madje, sipas tij, ishte vetë Presidenti që ka urdhëruar që të çnderohet ai përmes krijimit të një skene ku qytetarët dhe mediet do ta shihnin të lidhur zyrtarin serb, kokulur, të zhubravitur dhe të lidhur.
Por, a ishte kjo hakmarrje e Thaçit pas telefonatës kërcënuese të Vuçiqit apo këtu fshihet diçka tjetër?
Zyrtarë ndërkombëtarë që kanë folur për Gazetën Express thonë se ekziston frikë se kjo çfarë ndodhi dje është pjesë e skenarit të frikshëm për ndarjen e Kosovës.
“Krijimi i rrethanave të reja, pra shpërthimit të konfliktit në Veri, do të sillte deri te krijimi i një situate të re. Mbase këtu Serbia do të shtynte më pas idenë e saj për ndarjen e Kosovës”, ka treguar një diplomat perëndimor, në kushte anonimiteti për Gazetën Express.
Ndryshe, sipas të njëjtave burime, kryeministri Haradinaj, i cili është lënë jashtë zhvillimeve të djeshme, aktualisht po ndihet i frustruar. E, raportet e ngushta që ai i kishte krijuar me Presidentin Thaçin gjatë dizajnimit të Qeverisë së re, tashmë janë ftohur fare.