26 Mars 1827- Vdes kompozitori i njohur gjerman Ludwig Van Bethoven
Bethoven lindi më 17 dhjetor 1770 në Bon të Gjermanisë, në një familje të varfër. Fëmijëria e tij nuk ishte aspak e lumtur. E ëma, Katerina, ishte një grua me një prejardhje të thjeshtë, dhe punonte si shërbëtore, por e pajisur me mirësi dhe ndjeshmëri në kundërshtim me të atin, Johan Bethoven, një burrë mizor dhe pijanec.
Nga tetë vëllezërit e tij, pesë vdiqën në moshë të re. Prandaj, që i vogël Ludwig u mësua me dhembjet njerëzore, mësoi te jetë i durueshëm ndaj fatkeqësive, dhe të ndajë trishtimin e të tjerëve. Një figurë e rëndësishme në jetën e tij ishte gjyshi i tij Ludwig, muzikant i oborrit të fisnikërisë së qytetit, që u nderua me titullin Kapelmaister, njeri me aftësi të mëdha muzikore dhe një karakter të jashtëzakonshëm.
Por mësuesi i parë i tij ishte i ati, i cili ishte tenor në oborr. Edhe pse s’kishte një vesh muzikor të veçantë, ai e dalloi talentin e të birit, të cilin u përpoq ta shfrytëzonte. Ai e stërmundonte Bethovenin e vogël që në moshën 4-vjeçare, duke e detyruar të studionte piano deri në mëngjes. Për shkak të rreptësisë së paarsyeshme të të atit, Bethoveni mendonte shpesh t’ braktiste studimet për muzikë.
Ai dha shfaqjen e tij të parë në moshën 8- vjeçare, ndërsa në moshën 12-vjeçare prezantoi kompozimin e tij të parë. Në vitin 1787, takon në Vienë kompozitorin tashmë të njohur austriak Mozart, që pasi e dëgjon thotë:“Ky djalosh i ri, do të habisë botën!”, duke e pranuar ndërkohë si nxënësin e tij.
Bethoven adhuronte veçanërisht klasikët. Lexoi të gjitha veprat e Homerit, Platonit, Plutarkut, Osianit, dhe Goethe, ndërkohë studionte shpesh Aristotelin, Takiton, Ciceronin, Sasinin, Pestalocin dhe Kantin. Ai ishte një artist shumë pjellor. Katalogët e regjistruar me kompozimet e tij arrijnë në 138, pa llogaritur veprat e moshës së tij rinore.
Veprat e tij të pavdekshme janë:9 Simfonitë, 32 Sonata për piano, Sonatat për violinë dhe piano, 5 koncerte për piano dhe orkestër, Kuartetet, opera “Fideljo” etj. Vdes më 26 mars 1827, pas një pneumonie të rëndë që kishte kaluar nje vit më herët, pa marrë kujdesin e nevojshëm të vëllait dhe nipit të tij.
26 Mars 2000 – Papa lutet për faljen e Holokaustit
Gjatë vizitës së tij historike në Izrael, Papa Gjon Pali II lutet për faljen e mëkateve të atyre që ishin të përfshirë në Holokaust. Megjithatë, ai shmangi çdo pranim të “fajit” të Kishës për shkak të bashkëpunimi të supozuar. 79-vjeçari u lut para Murit Perëndimor (ose të Lotëve), duke i kërkuar ndjesë Zotit për “sjelljen e atyre që në rrjedhën e historisë, i kanë shkaktuar vuajtje shumë njerëzve të pafajshëm”.
“Unë e siguroj popullin hebre se Kisha Katolike…është thellësisht e pikëlluar nga urrejtja, aktet e persekutimit dhe shfaqjet e anti-semitizmit të drejtuara kundër hebrenjve, nga të krishterët në çdo kohë dhe çdo vend”- tha Papa, ndërsa shtoi se “nuk kishte fjalë aq të forta sa të përshkruante tragjedinë e tmerrshme” të Holokaustit.
26 Mars 1953 – Xhonas Salk, njofton prodhimin e vaksinës kundër poliomelitit
Studiuesi mjekësor njoftoi në një radio kombëtare, se ka testuar me sukses një vaksinë kundër poliomielitit, virusi që shkakton paralizimin e njeriut. Në vitin 1952, SHBA-ja përjetoi një valë epidemie të poliomelitit. Pati 58.000 raste të reja, dhe më shumë se 3.000 të vdekur nga sëmundja e rëndë.
Në dekadat e para të shekullit XX-të, trajtimet ishin të kufizuara tek karantinat, dhe një pajisje metalike që ndihmonte frymëmarrjen. Megjithëse fëmijët ishin ndër ata që prekeshin më rëndë, edhe të rriturit vuanin shpesh pasojat e kësaj sëmundje, përfshirë presidentin e ardhshëm Frenklin D.Ruzvelt, që në vitin 1921 u godit nga poliomieliti në moshën 39 vjeçare, dhe mbeti pjesërisht i paralizuar.
Në vitin 1954, vaksina e Salk nisi të përdorej për vaksinimin e afro 2 milionë nxënësve amerikanë. Në prillin e vitit 1955, u njoftua se vaksina ishte e efektshme dhe e sigurt, dhe filloi një fushatë e madhe vaksinimi. Për kontributin e tij, Xhonas Salk, u nderua me Medaljen Presidenciale të Lirisë në vitin 1977. Ai vdiq në La Jolla të Kalifornisë në vitin 1995.
26 Mars 1913 – Lufta I Ballkanike:Forcat bullgare pushtojnë Edirnenë pas 5 muajsh rrethimi dhe dy sulme të guximshme gjatë natës. Robërit osmanë të luftës u trajtuan shumë keq, dhe disa prej tyre u vranë.
26 Mars 1939 – Lufta Civile Spanjolle:Nacionalistët fillojnë ofensivën e fundit të luftës.
26 Mars 1942 – Lufta e Dytë Botërore:Të burgosurit e parë femra, mbërrijnë në kampin e përqendrimit në Aushvic në Poloninë e pushtuar nga Gjermania.
26 Mars 1945 – Lufta e Dytë Botërore:Beteja e Ivo Zhima në Japoni përfundon, pasi ishulli vihet nën kontrollin e forcave amerikane.
26 Mars 1971 – Pakistani Lindor deklaron pavarësinë e tij nga Pakistani, për të formuar Republikën Popullore të Bangladeshit, duke shkaktuar nisjen e Luftës Çlirimtare të Bangladeshit.
26 Mars 1975 – Hyn në fuqi Konventa e OKBsë kundër përdorimit të Armëve Biologjike.
26 Mars 1979 – Kryeministrat Anvar Al–Sadat dhe Menahem Begin, nënshkruajnë në Uashington në praninë e presidenti amerikan Xhimi Karter, Traktatin e Paqes Izrael – Egjipt.
26 Mars 1997 –Policia amerikane zbulon në afërsi të San Diegos në Kaliforni, trupat e pajetë të 39 viktimave, pas një vetëvrasje masive. Ata i përkisnin sektit “Heaven’s Gate” (Porta e Parajsës) dhe besonin se vetëvrasja do t’i lejonte ata të braktisnin trupat dhe të hynin në një anije jashtëtokësorësh të fshehur pas kometës Hale-Pope.
26 Mars 2017 – Në 99 qytete të Rusisë mbahen protesta kundër korrupsionit. Një sondazh i Qendrës Levada, tregoi se 38 për qind e rusëve i mbështetën protestat, dhe se 67 për qind e cilësonin Putin si personalisht përgjegjës për korrupsionin e nivelit të lartë.