Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, do të vizitojë sot Kosovën.
Mësohet se Gjuriç ka marrë leje nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, lajm të ciline ka konfirmuar për Indeksonline, Jetlir Zyberaj, këshilltar i Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.
“Marko Gjuriç ka kërkuar leje për vizitë, kërkesa i është aprovuar”, ka thënë Zyberaj.
Arsyeja e kësaj vizite është se Gjuriç Kosovë do të dorëzojë një automjet për terren në Qendrën për Mirëqenie Sociale në Prelluzhë të Vushtrrisë.
Ky automjet i dorëzohet drejtorit të qendrës në emër të donatorit “Stefial d.o.o”, nga bashkëpronarët e kësaj kompanie dhe nga ish-futbollisti Dejan Stankoviç e Dragan Ruvarac. Pas kësaj, parashihet nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e një shtëpie për një familje me ndihmë sociale në fshatin Gracë, shtëpi prej 75 m2, me vlerë 2.8 milion dinarë.
Automjetet në terren dhe donacionet e shtëpive janë vazhdim i ndihmës që Qeveria serbe ka bërë për serbët që jetojnë në Kosovë, premtim ky i presidentit serb që bëri gjatë vizitës në Kosovë.