E mendoni ndonjëherë sikur qeveria të mos lejojë përdorimin e rrjeteve sociale dhe të mbyllë Facebook, WhatsApp, Instagram dhe Viber? Me siguri kjo ju duket e paimagjinueshme, por sapo ka ndodhur në Sri Lanka.
Autoritetet kanë udhëzuar mbylljen e tyre pasi janë burim dhune. Vendimi erdhi pas 10 ditësh të shpallura si emergjente, pas përshkallëzimit të konflikteve mes komunitetit mysliman dhe atij budist.
Komisioni Rregullator i Komunikimit në Sri Lanka ka raportuar së fundmi për fjalime të lidhur me dhunën, duke bërë që të vendosë mbylljen e përkohshme të Facebook-ut, Instagramit, WhatsApp-it dhe Viberit në shumicën e vendeve.
Zëdhënësja e kabinetit qeveritar, Rajitha Senaratne tha se qeveria ka kërkuar bllokimin e mesazheve në aplikacionet në fjalë, pasi zbuloi në Facebook postime që nxisnin dhunën kundrejt popullsisë myslimane.
Facebook kritikohet vazhdimisht për lejimin e nxitjes së dhunës dhe për një heshtje nga ana e kompanisë për situata të ngjashme. Por një zëdhënës i Facebook ka reaguar lidhur me situatën në Sri Lanka, teksa tha: “Ne kemi rregulla strikte kundër fjalimeve të dhunës dhe po punojmë shumë për ta luftuar atë. Ne po përgjigjemi për situatën në Sri Lanka dhe jemi në kontakt me organizatat qeveritare dhe jo qeveritare për të identifikuar dhe për të fshirë përmbajtje të tilla”. TIRANA TODAY