Ish-komisioneri evropian i drejtësisë dhe ministri i jashtëm italian Franco Frattini, i cili për disa vite po punon si këshilltar i Presidentit të Serbisë në procesin e integrimit evropian, është shprehur se Shqipëria është shumë prapa, për t’u bërë anëtare e BE-së në të njëjtën kohë me Serbinë. Ndërsa, nga ana tjetër si ka folur dhe për dialogun që po zhvillohet mes Kosovës dhe Beogradit, shkruan Tirana Today. Sipas tij, kryeministri Edi Rama, është shumë i pakënaqur nga zgjedhja që bëri Juncker, për çeljen e negociatave me Serbinë dhe Malin e zi, duke i veçuar ato nga pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke thënë se do të antarësohen në vitin 2025.
“Megjithatë, kjo deklaratë e bëri që kryeministri shqiptar të mbetej i pakënaqur, duke pasur parasysh se zoti Juncker veçoi Serbinë dhe Malin e Zi nga pjesa tjetër e grupit të Ballkanit Perëndimor.
– E pra, Shqipëria duhet të bëjë më shumë. Shqipëria është ende prapa. Një numër krizash politike në Shqipëri prekën rrugën e saj drejt Evropës. Unë kam qenë duke punuar në arritjen e qëllimit të Shqipërisë për të fituar statusin e kandidatit kur isha ministër i jashtëm italian. Unë isha përfshirë gjithashtu me ofertën e Shqipërisë për NATO-n. Por ne duhet të pranojmë se nevojitet një lidership më i qëndrueshëm politik në Shqipëri. Edhe pse qeveria duhet të vazhdojë me rezultate më konkrete, Shqipëria është absolutisht thelbësore për procesin e pranimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Nuk mund ta lëmë pas.
Sa i përket Kosovës, Thaçi tha se BE nuk e mbajti premtimin e saj për të përshpejtuar integrimet evropiane të Kosovës pas themelimit të gjykatës speciale për krimet e luftës. Tani ai duket i zhgënjyer?
– Thaçi duhet të jetë i vetëdijshëm se Kosova, së bashku me Bosnje-Hercegovinën, është prapa orarit. Është e pamohueshme që Kosova po përballet me një krizë politike. Kishte kaq shumë probleme për të fituar shumicën për të formuar këtë qeveri, e cila tani funksionon vetëm me një shumicë të vogël. Ata kanë një numër problemesh politike vendore, ndërkohë që ka ende probleme që pengojnë vazhdimin e një dialogu me Serbinë … Pra, përpara se të fajësojnë BE-në, ata duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë. Kjo është këshilla ime e ndershme për Kosovën.
Si e shihni “dialogun e brendshëm” të propozuar në Serbi për të ardhmen e bisedimeve të Kosovës? Duket sikur disa në Bruksel kanë shpresa shumë të larta për këtë. A mendoni se dialogu i brendshëm mund të ndryshojë politikën zyrtare serbe që pavarësia e vetëdeklaruar e Kosovës është e papranueshme?
– Nuk mendoj kështu. Ndjenja se pavarësia e Kosovës nuk është e ligjshme është thellësisht e rrënjosur në Serbi. Ne kemi hasur në momente të shkëmbimit të sinqertë të opinioneve në kohën kur vendi im njohu Kosovën në vitin 2006 – gjatë kohës së paraardhësit tim si ministër i jashtëm, Massimo D’Alema. Unë nuk mendoj se njerëzit në Serbi do ta kapërcejnë këtë qëndrim. Prandaj është edhe më e rëndësishme të fillohet dialogu i brendshëm politik dhe dialogu i shoqërisë civile, siç është vendosur nga presidenti Vuçiç. Kjo nuk është vetëm depolitizimi i çështjes së Kosovës, por edhe de-dramatizimi i çështjes së Kosovës. Një nga meritat e Presidentit Vuçiç është se ai është gati të diskutojë Kosovën, po thyen një tabu.
Në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, diplomatët perëndimorë thanë se ishte një “rast unik”. Pas kësaj, ne kemi parë një “rast unik” në Krime, dhe tani referendumi në Kataloni. Pas gjithë kësaj, a mendoni se ishte më tepër një precedent sesa një “rast unik”?
– Është shumë e rrezikshme që të shumëfishohet numri i rasteve unike, sepse ne japim idenë e standardeve të dyfishta. Heshtja nga bashkësia ndërkombëtare në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në atë kohë, apo edhe përkrahje të hapur për të, dhe sot pothuajse unanime “NO” për referendumin në Kataloni, jep përshtypjen se ka standarde të dyfishta. Është e rëndësishme të mbetet e lidhur me ligjet dhe parimet ndërkombëtare. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë erdhi me një mendim këshillues që pohonte parimet e përgjithshme të përpjekjes për të punuar për pavarësinë, por gjykata nuk mori qëndrim mbi të drejtën e Kosovës për t’u ndarë nga Serbia dhe për t’u bërë e pavarur. Ky ishte vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe rasti u zgjidh vetëm në nivel politik, e jo në nivelin ligjor. Si u zgjidh problemi? Ajo u zgjidh nëpërmjet fillimit të një procesi politik në OKB. Në Kataloni, referendumi u mbajt dhe pak ditë më vonë udhëheqësi i Katalonjës bëri thirrje për një dialog pa parakushte. Pse? Sepse ai e kuptoi se nuk kishte të drejtë për shkëputje. Ky është një parim i qartë dhe e njëjta vlen edhe për Krimenë, sepse përndryshe ne nuk mund të justifikonim madje as të mendojmë për sanksione kundër Federatës Ruse. Unë jam kundër sanksioneve në parim, por baza e sanksioneve është se nuk kishte të drejtë për ndarjen e Krimesë. TIRANA TODAY