Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për mediet para pak minutash, ku ka dhënë alarmin se Shqipëria është e pushtuar nga krimi dhe droga.
Duke iu referuar ngjarjeve të fundit, Basha fajësoi Ramën për gjendjen aktuale të vendit, ndërsa e akuzoi atë se po financon miliona euro për të bërë propagandë, duke krijuar idenë se ai nuk ka më asnjë lidhje me krimin.
Basha ritheksoi se për sa kohë të jetë Rama në krye të vendit, në Shqipëri do të sundojë krimi dhe droga.
Prononcimi i Bashës:
Agur Vrenozi ka humbur jetën nga krimi, dua t’i shpreh ngushëllime familjes së tij, është një humbje edhe për shoqërinë. Sot jeta dhe prona janë në kërcënim e përditshëm të krimit dhe drogës. Vetëm dje kanë ndodhur 4 grabitje me armë. Në Shqipëri ka vetëm një realitet: drogë dhe krim. Drogë lumë drejt Evropës, grabitje me armë dhe vrasje mafioze. Për të gjithë botën po bëhet e qartë ajo që kishim paralajmëruar: cikli i krimit po thellohet. Nga marijuana ka kaluar në kokainë. 613 kg kokainë kurrë s’mund të kishte ardhur pa mbrojtje politike. Bumi i ndërtimeve pa asnjë logjike, bankat me pronarë offshore, janë të kapura nga parakja e zezë e krimit dhe e drogës. Në vend të eksporteve artizanale, kemi eksportin e krimit. Rama po financon miliona euro propagandë për të krijuat idenë se po lufton krimin. E njëjta skemë për të bindur shqiptarët se nuk kishte më drogë. Besimi i kësaj propagande do të kishte pasoja fatale për vendin. Rama nuk reformohet dot nga krimi, i zhytur thellë në të. Për sa kohë Rama do jetë në krye të qeverisë, nuk do të ketë asnjë shpresë për luftë kundër korrupsionit. Tahiri i paprekshëm, Dako do sundojë Durrësin. Do kapen vetëm shoferë dhe punëtorë krahu, por jo kokat e krimit.