Droga e kapur sot jashtë Portit të Durrësit është trumbetuar si një superaksion nga policia dhe nga kryeministri Rama e ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Përshëndetje dhe përgëzime kanë dhënë edhe institucionet e ndërkombëtare të vendosura në Tiranë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, krahas shqetësimeve të shprehur për këtë fenomen në rritje, kanë falënderuar aksionin e Policisë së Shteti në sekuestrimin e saj. Por ajo çfarë bie në sy është mospërputhja e të dhënave në lidhje me peshën e saktë të drogës.
Në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit thuhet se janë sekuestruar 613 kilogramë e 350 gram lënde narkotike e dyshuar kokainë, me vlerë tregu mbi 180 milion euro.
Ndërkohë SHBA-ja dhe BE-ja janë në një linjë me peshën e drogës, që sipas njoftimeve të tyre thuhet se janë 614 kg kokainë dhe jo në sasinë e sekuestruar që njoftoi Policia e Shtetit . Pyetja që lind natyrshëm është se ku shkuan 650 gram kokainë?