Pasi përfundoi studimet e Mjekësisë, Taulant Muka fitoi me bursë të drejtën për të vijuar Masterin në Universitetin e Roterdamit në Holandë, prej nga preku edhe dy prej universiteteve me famë botërore Howard dhe Kembrixh.
Pas masterit, Taulanti vijoi studimet doktorale po në Roterdam dhe sot punon në një prej kompanive më të mëdha farmaceutike në botë në Danimarkë, ku testohen barnat e reja për diabetin.
Taulanti e nisi rrugëtimin për të studiuar jashtë në vitin 2012, për t’u kthyer sërish për të dhënë kontribut në vendin e tij, ku nevojat janë të mëdha. Edhe pse i duket e vështirë, ai ende beson se një ditë kjo gjë do të bëhet e mundur. Taulanti thotë se si ai ka dhe shumë studentë të tjerë, produkt të Fakultetit të Mjekësisë në Shqipëri, që kanë vijuar studimet në universitetet të mira botërore, e që ti kthesh pas duhet gjetur politika e duhur.
Shkencëtar dhe lektor, Taulant Muka: “Unë gjithmonë kam pasur pasion që të merrja një shkollim jashtë, që të ndihesha më i plotësuar me veten time. Gjithmonë kam pasur synimin që nga ana profesionale të rritem me mendimin që nesër ose pasnesër do të kthehem këtu në Shqipëri për të kontribuar për brezat e rinj. Kam bërë përpjekje të vazhdueshme në kohë të ndryshme dhe në forma të ndryshme në mënyrë që të sjellim disa risi këtu në Shqipëri. Nuk është e lehtë, has brryla, ndonjëherë edhe nuk kuptohesh sepse edhe niveli në sistemin drejtues shqiptar nuk është dhe aq i lartë, por mendoj që me energji pozitive do përpiqemi shumë dhe do sjellim risi pavarësisht vështirësive. Ka shumë shqiptarë të tjerë jashtë që kanë arritur performancë dhe janë produkte të Fakultetit të Mjekësisë, por që normalisht duhet të krijosh dhe politika për t’i tërhequr. Danimarka për njerëzit me aftësi të caktuara që ata kanë nevojë i stimulon dhe i ndihmon me uljen e taksave. Për shembull, personalisht unë futen në atë klasë që quhen emigrantë të nivelit të lartë dhe mar 25% ulje taksash në krahasim me një danez. Mar dhe benefite të tjera dhe më trajton më mirë se sa një danez. Kurse vij në shtetin shqiptar dhe nuk më ofron diçka, madje më jep brryla. Duhet të lehtësohen dhe të ketë politika të tilla që ti tërheqësh ata që janë jashtë në mënyrë që të vijnë të kontribuojnë sepse edhe pak më shumë investim te ata është një investim jashtëzakonisht për shtetin dhe për të ardhmen e Shqipërisë”
Rikthimi në fakultet pak vite më pas nga koha e mbarimit të studimeve, e gjeti Taulantin të trishtuar nga ajo çfarë pa në auditore. Ai thotë se në Mjekësi mungojnë profesorët inspirues dhe mjekët specialist ngatërrohen me personelin akademik me tituj shkencor.
Taulant Muka: “Isha në Fakultetin e Mjekësisë për të dhënë një leksion dhe ndryshe nga më parë pash një mungesë interesimi të jashtëzakonshme dhe kjo vinte për faktin që këtu studentët janë të interesuar vetëm të plotësojnë kushtet për të shkuar dhe punuar në Gjermani dhe shumë shpejt do ketë edhe vende të tjera si ato skandinave që po kërkojnë mjekë. Dhe nuk ka asgjë të keqe këtu, është e drejta e çdo njeriu të kërkoj mundësinë më të mirë kur nuk e gjen në një vend. Por ajo që ishte fatkeqësia më e madhe ishte kur shikoje vizionin e universitetit që ofronte bursa për këta studentë për të mësuar gjermanishten apo promovonte kurset e gjermanishtes në Gjermani. Aty më pas u skandalizova dhe mendova si është e mundur që shteti shqiptar të investojë lekë dhe të prodhojë mjekë për shtetet e huaja si Gjermania. Ky është vizioni dhe po qe ky vizoni nuk mund të shkojmë para dhe ata studentë sigurisht që do të largohen sepse nuk mund të drejtohesh nga vizionar të tillë. Andej ka vështirësi, por ajo vështirësi të gëzon, të lumturon. Ti ke profesorë që mrekullohesh ku i dëgjon, janë ikona në fushën e vet në rangun botëror dhe veçse mahnitesh nga arritjet e tyre. Po të kthehesh në Shqipëri me raste shumë të rralla nuk ke ndonjë profesor që inspiron, ky është ndryshim i madh. Nëse do ti kthehemi Universitetit të Mjekësisë duhet të ndajmë shumë profesoratin akademik nga të qenit mjek specialist. Në Shqipëri më shumë kemi mjek specialist të punësuar në Universitetin e Mjekësisë se sa profesorë. Ndryshimi mes një profesori dhe joprofesori është kërkimi shkencor, publikimet”.
Reni Jani, është një tjetër shqiptare, që pas mbarimit të gjimnazit në Tiranë, vendosi të shkojë në Holandë për të studiuar. Tashmë ajo vijon studimet master në Universitetin e Roterdamit. Ne e takuam në Shqipëri në panairin botëror të arsimit, ku Reni ishte ambasadore e Universitetit Roterdam Business. Rrugëve të Holandës Reni nuk është e vetmja shqiptare. Tashmë ajo ka mar pas edhe të motrën, ndërsa thotë se në atë qytet takon qindra të rinj shqiptarë, të cilët kanë krijuar atje një pjesë të vogël Shqipërie.
Të njëjtën gjë pohon edhe Taulanti, ndërsa tregon se fillimisht shqiptarët edhe në auditore i paragjykojnë, për shkak të opinionit të keq që ka Shqipëria nëpër botë, më pas kur shohin se studentët ecin mirë dhe arrijnë rezultatet, profesorët stepen dhe vendosin ti përfshijnë në projekte të rëndësishme.
Studente në Roterdam, Reni Jani: “Jetoj vetëm me motrën, ajo ka ardhur 2 vjet më parë. Në fillim kur vjen për bachelorin, viti i parë është pak i vështirë se je gjithmonë larg familjes, je mësuar të bëj mami dhe babi çdo gjë. Por më pas nuk është fare e vështirë, vjen natyrshëm dhe është kënaqësi të vish prapë në Shqipëri. Në universitet por edhe në Roterdam ka shumë studentë të tjerë shqiptarë. E dëgjojmë herë pas herë njëri-tjetrin në tramp, nëpër dyqane, gjithandej”
Taulant Muka: “Ne, kur vajtëm në Roterdam, pjesa jonë më e madhe kishte vështirësi në kërkimin shkencor sepse nuk e kishim begraudnin e caktuar. Pavarësisht vështirësive në çam dhe arritëm të gjithë shqiptarët atje të ishim më të parët, madje kishim ndonjëherë edhe xhelozi nga hollandezët dhe këtë kapacitet e kemi edhe në Shqipëri thjesht nuk e përdorim siç duhet. Profesorët e huaj fillimisht na panë me një skepticizëm, sepse vijnë nga bota e tretë, por me kalimin e kohës jo vetëm që kanë konsiderata shumë të larta për ne, por edhe na mbajtën”
Por ndërsa Taulanti e le rrugë të hapur kthimin në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij në përmirësimin e sistemit shëndetësor. Reni nuk kërkon ta kthejë më kokën pas, e bindur se në Shqipëri nuk do të mund ti gjejë asnjëherë mundësitë që ofron Hollanda.
Reni Jani: “Jo, jo! Shpresoj që jo dhe besoj që jo, sepse mendoj që ka mundësi më të mira andej dhe sidomos me studimet që po bëj tani mendoj se do të kem një të ardhme më të mirë. Në Roterdam vendosa që të shkoj vetëm sepse është një nga qytetet që ofron më shumë punë duke pasur dhe portin aty, më të madh në Europë”
Taulant Muka: “Pse jo! Shqipëria ka shumë nevojë për njerëz të arsimuar, arsimi është baza për zhvillimin e një shteti, për të ardhmen. Unë them që Shqipëria ka mundësi zgjidhje, thjesht nuk di ose është në një situatë që nuk po i menaxhon si duhet potencialet që ka. Në mënyrë që të bësh ndryshimin duhen njerëz që inspirojnë. Në momentin që nuk ke njerëz që inspirojnë kurrsesi nuk mund të sjellësh shpresën te njerëzit. Nuk mund të inspiroj dikush që nuk ka asnjë arritje, dikush që në fushën e mjekësisë thjesht kryen rolin e specialsitit. Ne duhet të fokusohemi te këta njerëz pozitiv, këta duhet t’i promovojmë, vetëm kështu mund të ndryshojmë. Përndryshe do kemi më shumë që do të emigrojnë drejt shteteve të tjera”
Gjithë ëndrra për të studiuar jashtë lidhet me punësimin e më pas me një të ardhme më të mirë që besojnë se do ta ndërtojnë në një tokë të huaj. Ndaj të gjithë duan të ikin. Vitet e fundit 5 deri në 7 mijë maturantë aplikojnë për të vazhduar studimet në shtete të tjera. Kostoja e studimeve jashtë është e kushtueshme për pjesën më të madhe të familjeve shqiptare që i përkasin shtresës së mesme shoqërore, e megjithatë për të rinjtë shkolla është investim për të ardhmen dhe ndaj mes sakrificash financiare ata vendosin të ikin me shpresën se një ditë mundimi do t’u kthehet pas atyre dhe familjeve të tyre.
Student ekonomiku në Tiranë: “Vazhdoj studimet për Ekonomi në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë, viti i dytë, bachelor. Si rrjedhojë e disa pasojave që ka shkolla jonë, sistemi arsimor, literatura, mësimdhënia, kushtet që ofron shkolla, detyrohemi që të shohim tej kufijve të Shqipërisë, për të studiuar për master jashtë shtetit. Çmimet financiare janë pak të larta por për shkollën nuk kursehet, sepse pretendohet që do dalësh në tregun e punës nesër, pasnesër dhe është një investim për jetën personale që në të ardhmen do të kthehet mbrapsht. Për më mirë po kërkojmë të shkojmë jashtë shtetit”
Reni Jani: “Duke e ditur se çfarë të pret më vonë janë sakrifica që bëhen. Kështu që je gjatë gjithës kohës duke u munduar që të mos shpenzosh shumë këtu që të shpenzosh në një ditëlindje, në një party diku tjetër. Duhet të kesh gjatë gjithës kohës mendjen për të mos shpenzuar shumë dhe për të pasur një jetë sa më të mirë por ndërkohë edhe për ti bërë atyre të shtëpisë sa më pak shpenzime. Megjithatë është një sakrificë për të ardhmen”
Bursat e studimit
Të tjerë të rinj që vijojnë studimet në vend aplikojnë përmes programeve të bursave për të prekur ëndrrën e studimeve në universitetet e huaja. Disa e shohin këtë mundësi si ura për të lidhur kontaktet e vazhdimësisë me këto universitete, që pas përfundimit të pjesës së studimeve që mbulon bursa të vijojnë më tej. Universiteti i Tiranës është i pari institucion i arsimit të lartë që ofron më shumë bursa studimi, ku një ndër programet më të rëndësishme është “Erasmus” me mbështetjen financiare të BE. Drejtori i Komunikimit në UT, njëherësh dhe koordinator i programit të bursave “Erasmus plus”, Elton Skendaj, shpjegon çfarë përfitojnë studentët.
Vazhdimisht në UT hapen thirrje aplikimi për bursa. Skendaj sqaron se procedura e aplikimit është e thjeshtë, ndërsa kriteret e përzgjedhjes përcaktohen nga universitetet pritëse. Problem për studentët mbetet zotërimi i mirë i gjuhës së huaj në vendin ku ata duan të shkojnë. Bursat ofrojnë një larmi universitetesh, por më të preferuara nga të rinjtë shqiptarë janë ato italiane për shkak të njohjes së gjuhës. Krahas dërgimit të studentëve jashtë, por edhe të pedagogëve, programet e bursave kanë krijuar një shkëmbim eksperiencash mes universiteteve të huaja me ato shqiptare. Skendaj thotë se universitet sjellin vlerësime pozitive për studentët shqiptarë.
Në fillim të mujit shkurt, panairi botëror i arsimit solli në Shqipëri rreth 50 institucione arsimore nga e gjithë bota, jo vetëm universitete, por edhe kolegje, shkolla verore. Që nga viti 2012, kur ka nisur për herë të parë organizimi i këtij panairi në vendin tonë, përgjatë këtyre viteve janë dërguar mbi 400 të rinj shqiptarë për të studiuar jashtë. Vendet më të preferuara janë Holanda dhe Gjermania. Organizatorët thonë se për nxënësit ekselentë janë ofruar edhe bursa.
Nga Shqipëria nuk po ikin vetëm mjekët dhe infermierët, por po shpërngulen edhe të rinjtë. Deri tani për këtë situatë nuk janë marrë masa. Drejtues të Arsimit dhe të qeverisë prej kohësh flasin për reformën në arsimin e lartë, për rritjen e cilësisë së mësimdhënies, ndërsa vetë studentët thonë se duhet të ikin nga një sistem i tillë, që prej vitesh lëngon prej shumë problemeve dhe shpresa e vetme për ata që duan të ecin përpara me drejtësi dhe me mund në këtë jetë është shpërngulja nga Shqipëria.