Nga Richard N. Haass, “Council of Foreign Affairs”/Nju Jork-Lufta e Ftohtë zgjati 4 dekada, në shumë mënyra duke nisur dhe përfunduar në Berlin.
Lajmi i mirë është se ajo qëndroi e ftohtë – kryesisht për shkak se armët bërthamore, futën një disiplinë të humbur në rivalitetet e mëhershme mes fuqive të mëdha, dhe sepse Shtetet e Bashkuara së bashku me aleatët e tyre evropianë dhe aziatikë dolën fitimtarë, për shkak të përpjekjeve të mbështetura politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht, të cilave nuk mundi t’iu rezistojë një Bashkim Sovjetik i dobësuar.
Një çerek shekulli pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ne e gjejmë papritur veten në një Luftë të Dytë të Ftohtë.
Ajo është sa e ndryshme, po aq sa edhe e njohur. Rusia nuk është më një superfuqi, por më tepër një vend prej rreth 145 milionë njerëzish, me një ekonomi të ndërvarur nga çmimi i naftës dhe gazit, dhe pa një ideologji politike për t’ia ofruar botës.
E megjithatë, mbetet një nga dy shtetet kryesore që zotëron armë bërthamore, ka një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe është i gatshëm të përdorë aftësitë ushtarake, energjetike dhe kibernetike për të mbështetur miqtë, dhe për të dobësuar fqinjët dhe kundërshtarët.
Kjo gjendje e punëve ishte çdo gjë, përveçse e pashmangshme. Fundi i Luftës së Ftohtë, pritej të çonte në një epokë të re të lidhjeve miqësore ruse me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.
Mendohej gjerësisht, se Rusia postkomuniste do të përqendrohej në zhvillimin ekonomik dhe politik. Dhe marrëdhëniet patën një fillim të mbarë kur Rusia, në vend se t’i qëndronte pranë klientit të saj të vjetër në Irak, bashkëpunoi me SHBA-në për të dëbuar Sadam Huseinin nga Kuvajti.
Por vullneti i mirë nuk zgjati shumë. Se përse ndodhi kështu, kjo do të jetë një çështje debati midis historianëve në dekadat e ardhshme.
Disa vëzhgues, do të fajësojnë presidentët e njëpasnjëshëm të SHBA-së, që treguan mungesën e një mbështetjeje të zgjeruar ekonomike ndaj një Rusie luftarake, dhe akoma më tej zgjerimin e NATO-s, që duke e trajtuar Rusinë si një kundërshtare të mundshme, rriti shanset që Moska të bëhej vërtet një e tillë.
Është e vërtetë, se SHBA-ja mund dhe duhet të kishte qenë më bujare, në kohën kur Rusia po përjetonte tranzicionin e saj të dhimbshëm drejt ekonomisë së tregut në vitet 1990.
Nuk është as e qartë nëse zgjerimi i NATO-s, ishte i preferueshëm ndaj marrëveshjeve të tjera të sigurisë.
Gjithsesi, pjesa më e madhe e përgjegjësisë për shfaqjen e një Lufte të Dytë të Ftohtë, është Rusia, dhe mbi të gjitha Vladimir Putin.
Ashtu si shumë prej paraardhësve të tij, Putini e pa rendin botëror të dominuar nga SHBA-ja, si një kërcënim për sundimin e tij, dhe për atë që ai e konsideron si vendin e ligjshëm të Rusisë në botë.
Vitet e fundit, Rusia e ka përdorur forcën e armatosur për të pushtuar dhe aneksuar Krimenë, duke shkelur kësisoj parimin themelor të së drejtës ndërkombëtare, se kufijtë nuk mund të ndryshohen me dhunë.
Putin, vazhdon të përdorë mjetet ushtarake apo të fshehta për të destabilizuar Ukrainën Lindore, Gjeorgjinë dhe pjesë të Ballkanit. Dhe Rusia ushtroi një forcë ushtarake veçanërisht brutale në Siri, për të përkrahur regjimin e tmerrshëm të Bashar al-Asadit.
Rusia e Putinit, u angazhua gjerësisht, sipas fjalëve të prokurorit special të SHBA-së, Robert Mueller, për të realizuar “mashtrime, me qëllim ndërhyrjen në proceset politike dhe elektorale të SHBA-së, duke përfshirë zgjedhjet presidenciale të vitit 2016”.
Shefat e agjencive të inteligjencës amerikane, e kanë bërë të qartë se presin përpjekje të mëtejshme të tilla, nga tani deri në zhvillimin e zgjedhjeve për Kongresin në nëntor të këtij viti.
Ç’duhet bërë në këto kushte? Së pari, amerikanët duhet të pranojnë se mbrojtja nuk është e mjaftueshme. Kongresi ka të drejtë të kërkojë sanksione shtesë, dhe Donald Trump e ka gabim kur refuzon zbatimin e sanksioneve që ka miratuar Kongresi.
Qeveria amerikane, duhet gjithashtu të ngrejë zërin dhe të kritikojë regjimin rus, që arreston kundërshtarët e vet dhe vret gazetarët kritikë ndaj tij.
Nëse Trump, për çfarëdolloj arsye, vazhdon të mbajë një qëndrim të butë ndaj Rusisë, atëherë Kongresi, mediat, fondacionet dhe akademikët duhet të denoncojnë në detaje dhe publikisht korrupsionin që e karakterizon sundimin e Putinit.
Qarkullimi i një informacioni të tillë, mund të rrisë kundërshtimin e brendshëm ndaj Putinit, ta bindë atë të pengojë ndërhyrjen e mëtejshme në politikën amerikane dhe evropiane, dhe me kalimin e kohës të mbështesë forcat më të përgjegjshme brenda Rusisë.
Njëkohësisht, qëllimi nuk duhet të jetë dhënia fund e asaj që mbetet nga raporti SHBA-Rusi, e cila tashmë është në gjendjen më të keqe sesa ishte për pjesën më të madhe të Luftës së Ftohtë. Bashkëpunimi diplomatik, duhet të kërkohet sa herë që është e mundur, dhe në interes të Amerikës.
Rusia, mund të jetë e gatshme të ndalojë ndërhyrjen në Ukrainën Lindore, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, nëse mund të garantohet që rusët etnikë nuk do të përballeshin me represione.
Po kështu, Kremlini s’ka interes për një përshkallëzim ushtarak në Siri, që do të rriste koston relativisht modeste të ndërhyrjes së tij atje.
Në të njëjtën kohë, nevojitet një mbështetje ruse për të forcuar sanksionet kundër Koresë së Veriut. Dhe ruajtja e marrëveshjeve të kontrollit të armëve, apo dhe shmangia e një gare të re armësh bërthamore, do të ishte në interes të të dyja vendeve.
Prandaj, është rasti për të zhvilluar takime të rregullta diplomatike, shkëmbime kulturore dhe akademike, dhe vizita në Rusi nga delegacionet e Kongresit – jo si një favor, por si një mjet për ta bërë të qartë se shumë amerikanë janë të hapur për një marrëdhënie më normale me Rusinë, nëse kjo e fundit vepron nëpërmjet një vetëpërmbajtje më të madhe.
PËRSHTATI TIRANA TODAY