Presidenti Ilir Meta, pas daljes së djeshme në konferencë për shtyp, ku tregoi qartë qëndrimin kundër qeverisë për marrëveshjen me Greqinë, ka ashpërsuar sërish gjuhën.
Sot ai ka sulmuar sërish kryeministrin Rama, në mënyrë të nënkuptuar gjatë një takimi me delegacionin e Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, kryesuar nga Carl Bildt, ish-Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Suedisë.
Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka zgjerimi i BE-së edhe me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe në këtë kontekst vuri në dukje se shpreson që Shqipëria të çelë sa më parë negociatat e anëtarësimit në BE, dhe që Kosova të përftojë liberalizimin e vizave, sapo të mbyllet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.
Presidenti Meta gjithashtu i konsideroi të papranueshme dhe të pamundura idetë destruktive për ndarje apo shkëmbime territoresh, duke i konsideruar ato tentativa të dëshpëruara për mbivendosjen e agjendave populiste mbi agjendat jetike të integrimit dhe stabilitetit.
Gjatë fjalës së tij, Meta tha:
“Konsideroj të papranueshme dhe të pamundura idetë destruktive për ndarje apo shkëmbime territoresh. Ka tentativa të dëshpëruara për mbivendosjen e agjendave populiste mbi agjendat jetike të integrimit dhe stabilitetit, por programi i vetëm i punës në tryezat e drejtuesve politikë duhet të jenë zgjidhja e problemeve e shqetësimeve reale të qytetarëve. Prioritet në secilin vend, sundimin e ligjit dhe demokracisë”, përmbylli ai duke i dhënë një tjetër mesazh Ramës.