Shqipëria pushtohet nga tërmetet. Vetëm në 24 orët e fundit, janë ndjerë 12 lëkundje në vendin tonë, nga Veriu në Jug.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, ka pasur një aktivitet të dendur sizmik në vend.
Lëkundjet më të forta kanë qenë në orët e para të mëngjesit të së shtunës me magnitudë 4 ballë të shkallës Rihter në Ersekë, ku janë regjistruar 8 lëkundje. Ndërsa mëngjesin e sotëm, lëkundje të tjera janë ndierë në Berat dhe Bulqizë.
Ndërkohë, rreth orës 1:28 pas mesnate një lëkundje tërmeti me magnitudë 1.8 është regjistruar në Sinje, 10 km në jugperëndim të Beratit.
Më pas, sipas IGJEUM në orën 4:30, një lëkundje tjetër me magnitudë 2.3 është regjistruar në Zerqan, 10 km në lindje të Bulqizës, e me thellësi 12 km. Lëkundja më e fundit është regjistruar në orën 6:40, me magnitudë 2.1 në Fushë-Lurë, e me thellësi 6 km.