17 Shkurt – Inkuizicioni djeg në turrën e druve shkencëtarin italian Giordano Bruno. Giordano Bruno, i lindur si Filippo Bruno, ishte një filozof, matematikan, poet dhe teoricien i kozmologjisë.
Ai është i njohur për teoritë e tij kozmologjike, të cilat bazoheshin konceptualisht mbi modelin e atëhershëm të Nikolla Kopernikut. Ai thoshtë se yjet nuk janë gjë tjetër veçse diej të largët, të rrethuar nga ekzoplanetët e tyre, dhe ngriti mundësinë që në këto planete mund të kishte kushte për jetën e gjallesave ashtu si në Tokë (një qasje filozofike e njohur si pluralizmi kozmik).
Ai insistonte gjithashtu, se Universi është në fakt i pafundëm, dhe se nuk mund të ketë një trup qiellor në “qendër” të tij. Duke filluar nga viti 1593, Bruno u gjykua për herezi nga Inkuizicioni Romak me akuzën e mohimit të disa doktrinave kishtare, duke përfshirë atë të ndëshkimit të përjetshëm, Trinitetin, natyrën hyjnore të Jezu Krishtit, virgjërinë e Marisë, dhe transubstantizimin.
Panteizmi i Brunos, ishte gjithashtu një çështje me interes të madh, ashtu si edhe leksionet etij mbi transmigrimin e shpirtit të njeriut (rimishërimi). Inkuizicioni e shpalli fajtor, dhe ai u dogj në turrën e druve në Campo de’Fiori në vitin 1600. Pas vdekjes së tij, ai fitoi famë të konsiderueshme, duke u përmendur veçanërisht nga historianët e shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX-të, që e cilësuan një martir të shkencës.
Edhe pse ata vazhdojnë të debatojnë, se deri në ç’masë gjyqi i tij për herezi, ishte një përgjigje ndaj pikëpamjeve të tij astronomike, apo aspekteve të tjera të filozofisë dhe teologjisë së tij. Rasti i Brunos, konsiderohet ende një pikë referimi në historinë e mendimit të lirë dhe të lindjes së shkencës moderne.
Përveç kozmologjisë, Bruno shkroi gjithashtu gjerësisht mbi artin e kujtesës, duke sugjeruar një numër teknikash dhe parimesh për të përmirësuar memorien e njeriut. Historiani Frances Yates, argumenton se Bruno ishte thellësisht i ndikuar nga astrologjia arabe (sidomos filozofia e Averroes), Neoplatonizmi, Hermetizmi i Rilindjes, dhe legjendat që rrethojnë hyjninë egjiptiane Tot. Studime të tjera të Brunos, ishin fokusuar mbi qasjen e tij cilësore ndaj matematikës, dhe zbatimin e koncepteve të tij të gjeometrisë hapësinore në gjuhën e shkruar.
17 Shkurt 1904 – Shfaqet premiera e operas “Madame Butterfly”
Opera e kompozitorit të mirënjohur italian Giacomo Puccini, “Madame Butterfly” shfaqet për herë të parë në teatrin “La Scala” të Milanos. Puccini vendosi t’ia kushtonte jetën e tij operas, pasi pa një shfaqje të pjesës “Aida” të Giuseppe Verdit më 1876.
Ai do të shkruante vite më vonë, disa prej veprave më të dashura operistike të të gjitha kohërave:”La Boheme” (1896), “Tosca” (1900), “Madame Butterfly” (1904) dhe ‘Turandot” (e mbetur e papërfunduar kur vdiq më 1906). Megjithatë, asnjë nga pjesët nuk do të kishte një sukses të menjëhershëm.
Ndërsa ndodhej në Londër për të vënë në skenë operan “Tosca”, Puccini pa në teatër dramën “Madame Butterfly”, shkruar nga David Belasco dhe e bazuar në një tregim të John Luther Long. Duke u impresionuar nga karakteri i fortë femëror i protagonistes kryesore, ai filloi të punojë mbi një version operistik të dramës, me një libret të shkruar nga Giuseppe Giacosa dhe Luigi Illica.
Opera u shfaq për herë të parë në Milano më 17 shkurt 1904. E vendosur në Nagasaki të Japoni, “Madame Butterfly”, tregon historinë e dashurisë së një marinari amerikan, që martohet dhe më pas braktis geishan e re japoneze të re, Cio-Cio-San ose Madame Butterfly. Spektatorët reaguan keq, duke vërshëllyer dhe ulëritur në drejtim të skenës.
Puccini e tërhoqi vetëm pas premieres së parë. Ai punoi mbi një variant të ripërpunuar, duke bërë disa ndryshime. Katër muaj më vonë, “Madame Butterfly” u ngjit në skenën e “Teatro Grande” në Brescia. Këtë herë, publiku e përshëndeti operën me duartrokitje të zjarrta dhe të zgjatura, dhe Puccini u thirr 10 herë në skenë. “Madame Butterfly”, vazhdoi të shfaqej me sukses të madh ndërkombëtar, duke u shfaqur në Operan Metropolitane të Nju Jorkut më 1907.
17 Shkurt 1959 – Kryeministri turik, i shpëton një aksidenti të rëndë ajror
Kreu i qeverisë turke, Adnan Menderes, i mbijeton një aksident të rëndë ajror pranë Londrës, ku gjetën vdekjen 12 persona. Menderes, po shkonte në kryeqytetin britanik për të zhvilluar bisedime mbi statusin e Qipros me kryeministrin britanik, grek dhe atë qipriot, kur avioni i tij u rrëzua në Ëood Jordan. Vetëm 10 nga 22 pasagjerët, dhe ekuipazhi në bordin e avionit arritën të mbijetonin, dhe dy prej këtyre të fundit mbetën të plagosur rëndë.
17 Shkurt 1992 – Në SHBA vrasësi-kanibal Jeffrey Dahmer ,dënohet me burgim të përjetshëm
Vrasësi serial, Jeffrey Dahmer, dënohet me burgim të përjetshëm nga një gjykatë në Uiskonsin për vrasjen dhe gjymtimin e 15 burrave dhe djemve të rinj. Dahmer, 31 vjeç, nuk ishte në gjendje të bindte jurinë se kanibalizmi dhe nekrofilia e tij, ishin pasojë e çmendurisë. Ai u dënua me 15 dënime të njëpasnjëshme me burgim të përjetshem, duke i shpërtuar dënimin me vdekje, për shkak se Uiskonsin është një nga shtetet e pakta në SHBA që nuk ka të miratuar dënimin kapital.
Pas dënimit, Dahmer lexoi një deklaratë në gjykatë. Me zë të qetë ai tha:”Unë se kam dashur kurrë lirinë. Sinqerisht, doja vdekjen, e dija se isha i sëmurë, një njeri i keq, apo të dyja bashkë. Mjekët më kanë folur për sëmundjen time. Tani ndihem shumë i trazuar. E di se sa dëme kam shkaktuar. Ndihem shumë keq për dramën, që u kam shkaktuar familjeve të gjora të viktimave’.
17 Shkurt 1863 – Një grup qytetarësh në Gjenevë të Zvicrës, themelojnë një Komitet Ndërkombëtar për Ndihmën ndaj të Plagosurve, i cili më vonë do të bëhet i njohur si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.
17 Shkurt 1871 – Ushtria prusiane mashtron në mënyrë triumfale nëpër rrugët e Paris, pas përfundimit të rrethimit të kryeqytetit francez gjatë Luftës Franko-Prusiane.
17 Shkurt 1974 – Robert K. Preston, një ushtar i pakënaqur i ushtrisë amerikan, zbarkon në oborrin e Shtëpisë së Bardhë në Uashington në bordin e një helikopteri të vjedhur. 17 Shkurt 1978 – Në Belfast të Irlandës së Veriut, IRA shpërthen një bombë në një restorant, duke vrarë 12 persona dhe plagosur rëndë 30 të tjerë, që të gjithë protestantë.
17 Shkurt 1979 – Trupa kineze depërtojnë në territorin e Vietnamit, duke filluar kështu Luftën Sino-Vietnameze. 17 Shkurt 2016 – Një automjet ushtarak shpërthen para një kazerme të Forcave të Armatosura Turke në Ankara, duke shkaktuan vdekjen e të paktën 29 personave. Përshtati për Tirana Today, Alket Goce