Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin shpalosi sot një ide për “zgjidhjen e problemit të Kosovës”, e cila parasheh ndarjen e shtetit më të ri në Evropë.
Serbia duhet të kërkojë një marrëveshje për ndarje me Kosovën fqinje në mënyrë që t’i jepet fund një mosmarrëveshjeje që po e pengon anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, ka thënë Vulin.Vulin nuk specifikoi se cila pjesë e Kosovës beson se duhet shkëputur, por thirrje të ngjashme janë bërë edhe në të kaluarën e që kanë përmendur veriun e Kosovës.
Deklarata e tij ka bërë bujë në mediat ndërkombëtare, të cilat e kanë transmetuar lajmin. Madje, edhe agjencia e njohur e lajmeve, Reuters, ka shkruar mbi atë çfarë ka thënë Vulin. Reuters thekson se veriu i Kosovës, i ndarë nga pjesa tjetër e vendit përmes lumit Ibër, është pjesë e banuar me rreth 50 mijë serbë etnikë që kundërshtojnë Prishtinën dhe ende e shohin Beogradin si qeverinë e tyre.Më herët, një ide për ndarjen e Kosovës e ka potencuar edhe kryediplomati serb Ivica Daçiç.