Gazetari Lavdim Hamidi, tha se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është në garë me homologët e tij evropian, pasi ata rajonal i tejkaloi me pagën e tij.
Sipas Hamidit, në vendet e rajonit paga e kryeministrit është 5 herë me e lartë se ajo minimale, ndërsa në Kosovë 22 herë. Ai tha se kryeministri duhej ta kishte pagën 800 euro, e jo 3 mijë euro. “Paga e kryeministrit Haradinaj arrihet te 3 mijë euro apo trefish më e lartë se paga e kryeministres së Serbisë, apo edhe të Malit të Zi. Nëse e bëjmë një krahasim me pagën minimale në Kosovë, kjo ishte nja 22 herë më e lartë se paga minimale në Kosovë.
Ndërsa në të gjitha vendet e rajonit pagat e kryeministrave janë afërsisht 5 herë më të larta se paga minimale. Kjo i bie që në bazë të standardeve që i ka vendosur rajoni, paga e kryeministrit të Kosovës është dashur me qenë diku 800 apo 850 euro, e jo 3 mijë euro”, tha Hamidi në emisionin “Click” të RTV21.
Ai rritjen e pagave e sheh si një shpenzim enorm të buxhetit për një kabinet të madh qeveritar. “Një shpenzim enorm të buxhetit për një kabinet të madh qeveritar, siç është quajtur me të drejtë ndonjëherë, qeveri kineze.
Ishte interesant fakti se një reagim i tillë edhe pati efekt zinxhiror, mjekët e specialistë ja nisën me bojkotu punën, kërkonin paga e vlerësonin se si paga e një shoferi të kryeministrit është më e lartë se e një mjeku specialist ”, shtoi Hamidi. Ai tha se ky ishte një tejkalim i madh, dhe kryeministri nuk kishte zgjidhje tjetër përpos se të tërhiqej nga vendimi i tij.