Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se Rama bën poça dhe detyron biznesmenët që t’ia blejnë nga 20 mijë deri në 40 mijë euro për të justifikuar pasurinë. E ftuar në “Arena” në Ora News, tha se ditën e protestës Rama nuk ishte në zyre por duke bërë poça në një studio tek Kryegjyshata.
“Seç ka një studio tek Kryegjyshata që bën poça dhe detyron biznesmenët që t’ia blejnë nga 20 mijë, 40 mijë euro për të justifikuar pasurinë,” deklaroi Kryemadhi.
E pyetur për protestën e 27 janarit, Kryemadhi theksoi se ajo shërbeu për të shkrirë akujt midis partive të opozitës. Ajo deklaroi se nuk mund të kishte protestë të dhunshme kur kryeministri nuk ishte në zyrë.
“Ditë të shtune nuk mund të bësh protestë të dhunshme. Edi Rama nuk ishte aty. Unë u ndjeva entuziaste sepse testova qëndrimet e mia politike. Pjesëmarrja e njerëzve tregon se u ka ardhur në majë të hundës. Nuk është kollaj të nxjerrësh qindra, mijëra shqiptarë në bulevard ditën e shtunë.
Nga ana tjetër, ndjej të domosdoshme shkrirjen e akujve të partive të opozitës. As zgjedhjeve, opozita shqiptare ishte e shkrirë si kokrrat e zhivës.
Mund të themi të ishte e dhunshme, por nuk do të fitonim gjë. Problemi nuk është për t’u përplasur me policët,” tha kryetarja e LSI-së.