Presidenti i FSHF-së, Armand Duka i ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, flet për kandidaturën e tij për një mandat të pestë në krye të FSHF-së. Ai ka mohuar se është duke bërë një fushatë në këtë periudhë, pasi thjeshtë është duke takuar miqtë e tij. Duka është shprehur se nuk jemi në konflikt me Kosovën për talentet dhe se punojnë në harmoni të plotë mes tyre. Ndërsa kur pyetet për Dinamon, ai u shpreh se nuk është përgjegjësie Federatës të ndihmojë ekipe të caktuara, Dinamo ka qenë ekip i Ministrisë së Brendshme, nuk është faji im që ata nuk ekzistojnë më.
Dinamo…
Dinamo, ashtu si çdo klub duhet të ketë kompleksin e tij. Edhe tani, ai kompleks nuk ishte i Dinamos. Ai administrohej nga ministria. Nuk është faji im që nuk ekziston më Ministra e Brendshme.
Shqipëria nuk duhet të krenohet me arritjen në Europian, duke mos shkuar me produkt nga kampionati shqiptar
Ne kemi vetëm futbollistë shqiptarë, jo të huaj. Kemi marrë kritika kur nuk kemi marrë ndonjë talent që luan për Zvicrën, ndërsa sot kemi marrë merita për këto lojtarë që i kemi afruar në Kombëtare.
A nuk duhet të ketë FSHF një sjellje tjetër pas krijimit të kombëtares së Kosovës
FSHF jo vetëm që nuk i mbyll dyert lojtarëve të rritur në Kosovë, por i mirëpresim. Nëse është rritur në Kosovë, mund të rrijë atje, por nëse i pëlqen të vijë në Shqipëri, mund të kontribuojë për Shqipërinë.
Sekretari i federatës së Kosovës ishte i irrituar për talentet…
Nuk kemi mosmarrëveshje me Kosovën. Kemi kontribuar në Kosovë për të rritur futbollin, si dhe të njihet në arenën ndërkombëtare.
Çështja e stadiumeve një fasadë? Terrenet e fëmijëve janë shumë keq…
Në vitet ’90 gjithçka është shkatërruar. Kemi bërë vetëm rindërtimin e disa terreneve sportive. Federata kurrë nuk do ketë mundësi të investojë për aq fusha sa ka nevojë Shqipëria. Tirana ka rreth 130 skuadra fëmijësh, dhe duhen minimalisht 50 fusha futbolli. Sukses do ishte nëse qeveria do bënte kaq sa ka bërë 4 vitet e fundit për terrenet sportive. Federata e ka pasur të pamundur e vetme.
Sa është investimi i federatës në stadiumet?
Në Elbasan Arena investimi ka qenë 50:50, investimi total ka qenë rreth 6 milionë euro. Në Shkodër investimi i federatës ka qenë rreth 5 milionë euro, ndërsa në Arenën Kombëtare, i gjithë investimi ka qenë i federatës.
Me 5 milionë euro nga stadiumi i Shkodrës, mund të përdoreshin për 40 fusha sportive…
Shqipërisë i nevojiteshin ato dy stadiume. Do duheshin edhe 40 fusha sportive, patjetër, por Shqipëria nuk do luante dot më në vendin tonë.
Fino tha që do bëj edhe 5 stadiume të tjera. Keni parashikuar gjë për stadiumet?
Ne kemi planifikuar se ç’mund të bëjmë në 4 vitet e ardhshme, në bashkëpunim me bashkitë apo me qeverinë. Ne mund të rikonstruktojnë edhe 2 stadiume të tjera. Mund të pajisim stadiumet e Superiores me drita. Ndërtimin e fushave për stërvitje me bar natyral. Kemi menduar të ndërtojmë 70 mini-fusha për fëmijët, fusha për të verbrit.