Rino Gattuso ka festuar 40-vjetorin dhe urimin më special e ka marrë nga ish-trajneri dhe miku i tij më i mirë Carlos Ancelotti. Ai ka zgjedhur një mënyrë tradicionale për ta uruar me anë të një letre të gjatë dhe me plot emocione. Ai i kujton momente nga karriera kur punonin bashkë dhe për agresivitetin që e karakterizonte, por vlerësimin më të madh Gattuso e merr për shpirtin e garës që kishte dhe mënyrën se si e transmetonte tek shokët. Ancelotti i drejtohet me fjalët, që zoti ty të dha dhunti për të motivuar shokët dhe shpirtin luftarak, se në këmbët e tua nuk kishte talent.
“Dyzet vjet i dashur Rino, meritojnë një letër urimesh serioze dhe jo thjesht një telefonatë me muhabetet tona të zakonshme e shakatë tona. Dyzet vjet janë një çast reflektimi, pasi ke mjaftueshëm kohë pas krahëve për kujtime dhe po aq shumë kohë përpara për të ndërtuar të tjera arritje të mëdha.
Sot, teksa të shoh në stolin e Milanit, si lëviz lart e poshtë si i çmendur, se si ngre zërin, ulëret e inkurajon lojtarët, mendoj se je njeriu i duhur në vendin e duhur: pasioni yt është i nevojshëm, po ashtu si karakteri yt, shpirti i sakrificës për të kapërcyer vështirësitë; hareja jote është e dobishme për të shtensionuar disa situata e ndonjëherë duhet edhe inati yt solemn për të zgjuar ndokënd që fle, sepse çdo skuadër, çdo grup, ka gjithmonë dikë që fle…
Në fushë ishte luftëtari im. Nuk të pashë kurrë të tërhiqesh, e aq më pak me fanellën e pastër, ti ishe gjithmonë aty duke derdhur djersë. Janë pikërisht këto virtyte që kam admiruar ngaherë te ty: aftësia për të arritur objektivat, megjithëse natyra nuk të kishte dhuruar cilësi të jashtëzakonshme teknike.
Sepse – mund ta them apo jo? – këmbët nuk i kishe fort të edukuara! Por grintën që shfaqje në fushë nuk e kishte askush, e aq më pak aftësinë tënde për t’ia transmetuar ekipit. Eh, sa herë të kam parë duke folur me një shok skuadre për ta shkundur, për të ndihmuar, për ta mbështetur në momentet e vështira!
Futbolli është pikërisht KY: përtej skemave e moduleve, përtej lëvizjeve, presingut ose kundërsulmit, janë disa njerëz. Janë pikërisht këta që bëjnë dallimin. Ti, i dashur Rino, për mua dhe Milanin tonë, ishe ndryshimi. Për tetë vite, pak e shumë, të kam stërvitur çdo ditë, por edhe të kam duruar.
Përpara ndeshjeve nuk mund të të afroheshim: gjithmonë nervoz dhe i acaruar. Ishte mënyra jote për t’u përgatitur dhe, meqë edhe unë kur luaja e filloja ndeshjen shumë kohë përpara vërshëllimës së bilbilit, me ty dija gjithmonë se si të sillesha.
Shpesh të hidhja ndonjë batutë për të të larguar ankthin, herë të tjera ndonjë buzëqeshje. Shpesh kemi dalë edhe shëtitje edhe jashtë dhomave të zhveshjes. Të kujtohet kur ishim në Maltë në janar të 2007-ës? Kaladze po të çmendte me shakatë për ditëlindjen tënde dhe shokët e tu e mbështetnin gjatë gjithë kohës.
Unë bëja sikur nuk kuptoja, por e dija se me ty nuk duhej ekzagjeruar as me shakatë sepse përndryshe shfaqej ‘ana injorante’, siç themi mes nesh. Siç e kisha parandier, një mbrëmje e ndoqe Kaladzen këmba këmbës. As që dua ta di se çfarë ndodhi. Ajo që di, është ajo çka ndodhi disa muaj më pas atij janari. Kur ishim në Maltë ju premtova se do t’ju çoja deri në finalen e Ligës së Kampioneve. Ti dhe shokët e tu më morët për të marrë. Ja që në finale shkuam, madje edhe e fituam. Ti, i dashur Rino, tek ai Milani ishe shpirti i skuadrës. Shpresoj të jesh i tillë edhe nga stoli, ti e meriton!”.