Një ngjarje që ka prekur zemrat në të gjithë botën është historia e Heather nga Amerika, e cila u martua në spital me Dave Mosher, vetëm pak orë para se të vdiste nga kanceri.
Heather dhe Dave Mosher u martuan disa ditë përpara Krishtlindjeve, të rrethuar nga familjarë dhe miq, të cilët mbushën plot e përplot një kishe të vogël në Spitalin e Shën Francis në Hartford, Connecticut.
Psikologja 31-vjeçare vdiq vetëm 18 orë pas ceremonisë prekëse më 22 dhjetor, pas një beteje të gjatë një vjeçare me kancerin e gjirit.
Ata kishin planifikuar fillimisht të martoheshin më 30 dhjetor, por e afruan datën duke ndjekur edhe këshillat e mjekëve.
“Edhe pse kanceri ishte në të gjithë trupin e saj, ajo përsëri nuk u dorëzua”, tha ai.
“Ajo e mundi atë sepse jetoi më gjatë se çdokush e kishte menduar dhe ajo e mundi, sepse ia arriti qëllimin tonë për t’u martuar. Ajo është personi më i fortë dhe më i vendosur që kam takuar ndonjëherë”, tha Dave.
Një nga miqtë e saj më të afërt, Christina Lee Karas, e cila ishte një nga shoqërueser e nuses në dasmë, kapi momentin e hidhur në kamera, ndërsa tha se betimet e saj të martesës, të folura përmes një maskë oksigjeni, ishin fjalët e saj të fundit, raporton Tirana Today.
“Ajo ka qenë duke luftuar me kancerin e fazës 4 dhe ishte përhapur në të gjithë trupin e saj, por ajo ishte e vendosur që të martohej me bashkëshortin e saj”, shpjegoi Lee Karas.
“Teksa qëndroja para të gjithëve në kishë, isha në mëdyshje nëse duhej të nxirrja kamerën time. Si dikush që nuk donte asgjë më shumë se ta shihte mikeshën time vërtet të lumtur, ndjeva se duhej të kapja këto imazhe, të cilat po e kuptoja se ishin momentet e fundit me ne.
Ajo që shihni qartë këtu janë dy njerëz që ishin të destinuar të bashkoheshin si një. Një dashuri si asnjë tjetër e shkrepur për t’u parë nga të gjithë.
Dashuria e Dave e ka frymëzuar në Heather edhe në orët e saj të fundit. Ajo ishte dashuria e tij e madhe dhe ai ishte i saj.
Ai dëshironte të kishte një shans për të ndërtuar një jetë me nusen e tij, por e dinte se ajo duhej të thoshte lamtumirë. Ai dëshironte më shumë se çdo gjë tjetër që ta largonte dhimbjen e saj. Por e dinte se mënyra e vetme për të përfunduar dhimbjen e saj, ishte nëse trupi i saj më në fund do të hiqte dorë nga jeta e çmuar brenda saj”.
Ajo shtoi se Heather zgjodhi të kalonte orët e saj të fundit duke festuar jetën e saj, “e rrethuar nga njerëz që donte dhe që e donin”.
Fotografitë e ceremonisë janë shpërndarë gjerësisht në mediat sociale, ku shumë njerëz kanë lavdëruar guximin dhe forcën e çiftit.
“Heather ka qenë në gjendje të frymëzojë më shumë njerëz përmes aktit të saj të fundit të triumfit, trimërisë dhe dashurisë sesa çdonjëri prej nesh mund të ketë imagjinuar ndonjëherë”, tha Lee Karas.
“Çfarë mrekullie për të dëshmuar dashurinë mes këtyre dy shpirtrave binjakë!”
Mosher i propozoi Heather më 23 dhjetor 2016, ditën kur ajo u diagnostikua me kancer, në një udhëtim në një karrocë të tërhequr nga një kalë.
Çifti duhet të ketë filluar jetën e tyre së bashku më 30 dhjetor 2017, por në vend të kësaj, kjo ishte dita kur Dave varrosi gruan e tij.
Tineka Smith, shoqe me Heather prej 13 vitesh me të cilën u takua në Universitetin Lindor të Pensilvanisë, e përshkruan Heather si një vajzë që ishte gjithmonë duke qeshur, zbavitëse dhe aspak egoiste. TIRANA TODAY