Komisioni Evropian po raporton sot për funksionimin e regjimit pa viza me vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe me vendet e Partneritetit Lindor, ku përfshihet edhe Shqipëria. Shqipëria mbetet “macja e zezë”, pasi vazhdon edhe sivjet të ketë numrin më të madh të azilkërkuesve. Megjithatë vendi ynë nuk rrezikon akoma rikthimin e vizave, por duhet të plotësojë disa kushte.Gjatë fjalës së tij, Komisioneri për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos tha se është i përkushtuar për ta ruajtur udhëtimin pa viza për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa ka përshëndetur përpjekjet e Shqipërisë për forcimin e masave për emigrantët e parregullt. Ai tha se duhet luftë ndaj krimit të organizuar.
“Ne jemi plotësisht të përkushtuar për ta ruajtur udhëtimin pa viza për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Partneritetit Lindor. Por kjo shoqërohet me përgjegjësi, si për qytetarët ashtu dhe për autoritetet përkatëse. Unë përshëndes përpjekjet e bëra nga autoritetet shqiptare për forcimin e masave për trajtimin e migrimit të parregullt dhe përmirësimin e bashkëpunimit me Shtetet Anëtare më të prekura deri tani. Megjithatë, tani përpjekjet duhen mbështetur më tej për të siguruar që progresi të vazhdojë i pandërprerë, veçanërisht fushatat e ndërgjegjësimit mbi detyrimet dhe kushtet e udhëtimit pa viza dhe përmirësimi i kontrollit të kufijve, si dhe shtimi i hetimeve dhe ndjekjes penale të grupeve të krimit të organizuar”- tha Dimitris Avramopoulos.
Raporti i Liberalizimit të Vizave: Pyetje dhe Përgjigje
Çfarë po paraqet Komisioni sot?
Komisioni po raporton sot për funksionimin e regjimit pa viza me vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia), si dhe me vendet e Partneritetit Lindor (Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina).
Raporti i sotëm është vlerësimi i parë i plotë i kryer në kuadrin e mekanizmit të ri të pezullimit për tetë vendet që përfitojnë nga udhëtimi pa viza sipas skemës së liberalizimit të vizave.
Cili është vlerësimi i përgjithshëm?
Të tetë vendet kanë demonstruar angazhim të plotë për përmbushjen e kërkesave të nevojshme dhe kanë ndërmarrë përpjekje të rëndësishme për të zbatuar një numër reformash me ndikim të gjerë të përcaktuara në kuadrin e proceseve të tyre të liberalizimit të vizave.
Komisioni konsideron se të gjitha vendet e vlerësuara vazhdojnë të përmbushin standardet e liberalizimit të vizave.
Megjithatë, kërkohet veprim i menjëhershëm në një numër fushash specifike për të ruajtur zbatimin e tyre të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm.
Për disa vende, nevojitet më shumë punë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe për të mbajtur nën kontroll migracionin e parregullt.
Tani është e domosdoshme që këto reforma të jenë të qëndrueshme dhe që vendet të mos tërhiqen në arritjet e tyre.
Pse janë vlerësuar vetëm disa fusha specifike?
Ndërsa Komisioni po monitoron përmbushjen e vazhdueshme të të gjitha standardeve të liberalizimit të vizave, ne sot nuk po raportojmë për standardet që konsiderohet se janë të qëndrueshme.
Raporti i sotëm fokusohet në fusha specifike ku nevojitet më shumë punë, sidomos migracioni i parregullt, krimi i organizuar dhe lufta kundër korrupsionit.
Paralelisht, Komisioni do të raportojë në detaje mbi situatën më të gjerë në fushën e punëve të brendshme dhe të drejtësisë në kuadër të raporteve të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në kontekstin e zbatimit të Marrëveshjeve të Asocimit me Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ukrainën.
Pse raporti vlerëson vetëm 8 nga të gjitha vendet që kanë regjime pa viza me BE-në?
Ndërsa 60 vende anembanë botës përfitojnë nga udhëtimi pa viza në BE, në disa raste, vendimet për qasjen pa viza në Zonën Shengen mund të pasojnë nga negociatat dypalëshe, të quajtura “dialog për liberalizimin e vizave”. Ata bazohen në progresin e bërë nga vendet e interesuara në zbatimin e reformave të mëdha në fusha të tilla si forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsioni dhe migracioni i paligjshëm dhe përmirësimi i kapaciteteve administrative në kontrollin kufitar dhe sigurinë e dokumenteve.
Raporti fokusohet vetëm në ato vende që e kanë përfunduar me sukses dialogun për liberalizimin e vizave: Shqipëria, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Republika e Moldavisë, Gjeorgjia dhe Ukraina.
Kjo vjen nga detyrimi i Komisionit për të monitoruar përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave nga vendet jo-anëtare të BE-së që e kanë përfunduar me sukses dialogun për liberalizimin e vizave dhe për t’i raportuar mbi këto çështje Parlamentit Evropian dhe Këshillit.
Kjo vjen po ashtu edhe nga deklarata e Komisionit e nëntorit 2010 për krijimin e një mekanizmi vijues për proceset e liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili u ripohua në shkurt 2017.
Pse përmenden konkretisht vetëm disa vende në përfundim?
Konkluzionet e raportit nënvizojnë faktin se Shqipëria, Republika e Moldavisë dhe Ukraina duhet të ndërmarrin veprim të menjëhershëm në mënyrë që të sigurojnë përparim të vazhdueshëm në fusha të caktuara. Për Shqipërinë, sfidat e migracionit të parregullt duhet të trajtohen më tej. Moldavia duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të siguruar qëndrueshmërinë e standardeve kundër korrupsionit dhe atyre kundër pastrimit të parave. Dhe duke pasur parasysh zhvillimet e fundit lidhur me luftën kundër korrupsionit, autoritetet ukrainase duhet t’i shtojnë veprimet për të siguruar që përparimi i arritur më parë në këtë fushë të ruhet dhe të konsolidohet.
Sa shpesh raporton Komisioni për përmbushjen e standardeve?
Në kuadrin e mekanizmit të ri të pezullimit, Komisioni duhet të raportojë mbi përmbushjen e vazhdueshme të standardeve të liberalizimit të vizave të paktën një herë në vit për një periudhë prej së paku shtatë vjetësh pas datës së hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për vendet e treta. Komisioni do t’i raportojë sërish Parlamentit Evropian dhe Këshillit për përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave të liberalizimit të vizave nga vendet e treta në vitin 2018.
Çfarë është një kërkesë (standard) për liberalizimin e vizave?
BE-ja zhvillon dialog për liberalizimin e vizave me disa vende jo-anëtare të BE-së për të punuar drejt qëllimit afatgjatë të udhëtimit pa viza, me kusht që të jenë vendosur kushtet për një lëvizje të mirë-menaxhuar dhe të sigurt.
Dialog për liberalizimin e vizave u kryen me sukses midis BE-së dhe pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, si dhe tre vendeve të Partneritetit Lindor, Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Ato kanë rezultuar me lejimin e udhëtimit pa viza për qytetarët e këtyre vendeve; për Malin e Zi, Serbinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë në dhjetor 2009, për Shqipërinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën në fund të vitit 2010, për Moldavinë në prill 2014, për Gjeorgjinë në mars 2017 dhe për Ukrainën në qershor 2017.
Ky dialog u mbështet mbi “Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave” për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe “Planet e Veprimit për Liberalizimin e Vizave” (VLAP) për vendet e Partneritetit Lindor. Këta Udhërrëfyes dhe Plane Veprimi përfshinin katër blloqe kërkesash, të quajtura “standarde”, të cilat vendet duhet t’i përmbushnin. Ato lidheshin me sigurinë e dokumenteve, përfshirë biometrinë; menaxhimin e kufirit, migracionin dhe azilin; rendin dhe sigurinë publike; si dhe marrëdhëniet e jashtme dhe të drejtat themelore. Standardet kishin të bënin me politikën dhe kornizën institucionale (legjislacioni dhe planifikimi), si dhe me zbatimin efektiv dhe të qëndrueshëm të kësaj kornize.
Gjatë dialogut të liberalizimit të vizave, Komisioni monitoroi nga afër zbatimin e Udhërrëfyesve dhe Planeve të Veprimit përmes raporteve të rregullta të progresit. Këto raporte progresi iu transmetuan Parlamentit Evropian dhe Këshillit dhe janë të arritshme për publikun.
Çfarë është mekanizmi i rishikuar i pezullimit të vizave?
Mekanizmi i pezullimit të vizave u prezantua për herë të parë si pjesë e politikës së vizave të BE-së në vitin 2013, për të siguruar mundësinë për pezullimin e përkohshëm të përjashtimit nga regjimi i vizave për shtetasit e një vendi të tretë për një periudhë të shkurtër kohe, në rast të një rritjeje të konsiderueshme të migracionit të parregullt.
Në Maj 2016, Komisioni propozoi rishikimin e rregullave ekzistuese në mënyrë që ta forconte më tej këtë mekanizëm. Masat e reja i lejojnë Bashkimit Evropian të reagojë më shpejt dhe në një mënyrë më fleksibël nëse ballafaqohet me presion të fortë migrator ose me një rritje të rrezikut për sigurinë e brendshme të Shteteve Anëtare, që mund të shkaktohet nga udhëtimi pa viza. Në kuadrin e mekanizmit të rishikuar, Komisioni tani mund ta vërë në lëvizje mekanizmin, ndërsa më parë këtë mund ta bënin vetëm Shtetet Anëtare. Përveç kësaj, mekanizmi i rishikuar ka futur gjithashtu një detyrim që Komisioni:
- të monitorojë përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave, që janë përdorur për të vlerësuar përshtatshmërinë e lejimit të udhëtimit pa viza për një vend të tretë, si rezultat i përfundimit me sukses të dialogut të liberalizimit të vizave; dhe
- t’i raportojë rregullisht Parlamentit Evropian dhe Këshillit për këtë përmbushje të vazhdueshme, të paktën një herë në vit, për një periudhë shtatëvjeçare pas datës së hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për atë vend të tretë dhe më pas, kur Komisioni ta konsiderojë të nevojshme, ose me kërkesë të Parlamentit Evropian apo të Këshillit.
Mekanizmi i rishikuar i pezullimit u miratua në shkurt 2017 dhe hyri në fuqi më 28 mars 2017. Sot Komisioni po publikon raportin e tij të parë sipas detyrimit të ri të monitorimit dhe raportimit.
Kur mund të vihet në lëvizje mekanizmi i pezullimit?
Mekanizmi i pezullimit mund të vihet në lëvizje në rrethanat e mëposhtme:
- një rritje e konsiderueshme (më shumë se 50%) e migracionit të parregullt, duke përfshirë edhe njerëzit që janë gjetur se qëndrojnë në mënyrë të parregullt dhe personat të cilëve u është refuzuar hyrja në kufi;
- një rritje e konsiderueshme (më shumë se 50%) e kërkesave për azil me shkallë të ulët të njohjes (rreth 3-4%);
- një rënie e bashkëpunimit për riatdhesim, sidomos në rast të rritjes së përqindjes së refuzimit të aplikimeve për riatdhesim;
- një rrezik në rritje për sigurinë e Shteteve Anëtare, në veçanti vepra të rënda penale.
Komisioni gjithashtu mund ta vërë në lëvizje mekanizmin në rast se disa kërkesa nuk plotësohen më lidhur me përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave nga vendet e treta që kanë kaluar përmes një dialogu të liberalizimit të vizave.
Cilat janë hapat e tjera?
Raporti përcakton veprimet që duhen ndërmarrë nga vendet partnere për të siguruar qëndrueshmërinë e reformave. Komisioni do ta ndjekë nga afër, së bashku me autoritetet, progresin e bërë drejt përmbushjes së këtyre rekomandimeve.
Komisioni do t’i raportojë përsëri Parlamentit Evropian dhe Këshillit për zhvillimet e mëtejshme para mbarimit të vitit 2018. TIRANA TODAY