Dy vëllezër janë zënë keq me njëri-tjetrin, por në fund i ka gjetur belaja të dy. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “5 Maji” në Elbasan, ku njëri prej vëllezërve ka prishur derën e shtëpisë së vëllait dhe ka dhunuar kunatën, ndërsa tjetri ka marrë thikë dhe e ka lënduar të vëllanë.
Kështu, të dy vëllezërit Fatmir dhe Shpend Bakalli kanë rënë në pranga, teksa mbi ta rëndojnë akuzat “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta” për njërin prej tyre dhe “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrim prone” për tjetrin.
NJOFTIMI I POLICISË:
Godet me thikë vëllain e tij, arrestohen në flagrancë dy vëllezërit
Sekuestrohet thika me të cilën ka goditur vëllain
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit, në Komisariatin e Policisë Elbasan, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
Fatmir Bakalli, 56 vjeç banues në Elbasan
Shpendi Bakalli, 49 vjeç banues në Elbasan.
Arrestimi i shtetasit Fatmir Bakalli u bë pasi në banesën e tij, në Lagjen “5 Maji” për motive të dobëta dyshohet të ketë goditur me thikë vëllain e tij, shtetasin Shpendi Bakalli i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale thikën me të cilën shtetasi Fatmir Bakalli dyshohet të ketë goditur vëllain e tij shtetasin Shpendi Bakalli.
Ndaj shtetasit Fatmir Bakalli, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta” parashikuar nga nenet 130/a dhe 279 të Kodit Penal.
Arrestimi i shtetasit Shpendi Bakalli, u bë pasi dyshohet të ketë dëmtuar derën e oborrit të vëllait të tij shtetasit Fatmir Bakalli dhe dyshohet të ketë ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së të vëllait shtetases M.B., 53 vjeçe duke i shkaktuar dëmtime fizike, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndaj shtetasit Shpendi Bakalli, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrim prone” parashikuar nga nenet 130/a dhe 150 të Kodit Penal.