Presidenti Ilir Meta ka dekretuar lirimin nga detyra të ambasadorit shqiptar në NATO, Leonard Demi.
Vendi i Demit mbetet vakant teksa Meta nuk ka dhënë ende një përgjigje për propozimin e kryeministrit Rama, për emërimin e Visho Ajazit në këtë post.
Megjithatë, teksa kjo e fundit nuk dihet ende, Meta ka nderuar sot ish-kreun e SHISH, Visho Ajazi Likën teksa e ka dekoruar me Dekoratën e Artë të Shqiponjës, me motivacionin: “Për kontributin e tij të veçantë në fushën e sigurisë kombëtare, luftës kundër terrorizmit dhe, në veçanti, në luftën kundër krimit të organizuar e trafikut të drogës”.
D E K R E T
PËR LIRIM AMBASADORI NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 92, shkronja “dh”, nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 26, të ligjit nr. 23/2015 “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Kryeministrit,
D e k r e t o j:
Neni 1
Zoti Leonard Demi, lirohet nga detyra e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në NATO, rezident.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekretit 10677
Tiranë, më 05.12.2017
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META
Njoftimi:
05/12/2017-Presidenti Meta dekoron zotin Visho Ajazi Lika me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”
Presidenti i Republikës, Ilir Meta i akordoi dt. 05/12/2017, nr. dekreti 10676 zotit Visho Ajazi Lika “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Për kontributin e tij të veçantë në fushën e sigurisë kombëtare, luftës kundër terrorizmit dhe, në veçanti, në luftën kundër krimit të organizuar e trafikut të drogës”.