Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruan në rrjetin social “Facebook” në lidhje me vijën e shënjimit të pikës kufitare me Malin e Zi.
Haradinaj ka shpjeguar se raporti vlerësues i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit është i besueshëm, pasi është hartuar nga njerëz profesionistë të fushave dhe kjo vërteton se pretendimet e deritanishme të Kosovës tregojnë qartë se është dëmtuar tërësisa territoriale e saj.
Statusi i plotë i Ramush Haradinajt në Facebook:
Raporti vlerësues i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit është kredibil, i hartuar nga njerëz profesionistë të fushave dhe vërteton pretendimet e deritashme, se Kosova me versionin e tashëm është dëmtuar në tërësinë e saj tokësore.
Bazuar në kriteret e prezentuara për demarkimin e kufirit shtetëror, që kanë aplikuar të gjitha shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, aty ku ka shpërputhje kadastrale duhet të përkufizohet mbi bazën e vijes administrative. Kështu ka vepruar edhe Gjykata e Arbitrazhit në verdiktin për rastin slloveno-kroat.
Komisioni Shtetëror e ka argumentuar fuqishëm parimin uti possidetis juris, me çka dëshmohet se deri në Kullë dhe Zhlep, territori është menaxhuar nga Kosova. Vetëm 17% e territorit të Malit të Zi, deri më 2013, është përfshirë në regjistrat kadastralë të kësaj republike.