Pas ngjarjes së rëndë në Vlorë, ku iu vu tritol në automjet Inez Hajrullës, kanë folur familjarët e këtij të fundit.
Sipas tyre, atentati nuk ka lidhje me vrasjen e të afërmve të tyre, pasi me ta nuk kontaktonin prej vitesh.
“Atentati që iu bë djalit nuk ka lidhje me vrasjen e të afërmve tanë. Me ata nuk kontaktonim prej vitesh. Dy personat e vrarë ishin kushërinjtë tanë të largët,” thonë familjarët për News 24.
Po ashtu, familjarët e 25-vjeçarit shprehen se ky i fundit lëvizte lirisht në çdo qytet të Shqipërisë dhe se nuk ka pasur konflikte në Durrës.
“Ne i kemi dhënë pistat ku dyshojmë në polici,” u shprehën ata.
I riu humbi njërën këmbë pas shpërthimit me eksploziv në automjetin e tij tip Jeep, ndërsa aktualisht ndodhet në reanimacion në spitalin e Vlorës.
25-vjeçari ka dhe probleme me mushkëritë për shkak të tronditjes.
Dy vrasjet e bujshme në Vlorë
Burime të rezervuara të policisë së Vlorës konfirmuan për “BalkanWeb” se Inez Hajrulla me precedent penalë kishte lidhje gjaku me Renato Imerin, i ekzekutuar më 31 korrik 2017-të pranë një lokali tek Lungomare, si dhe me 25-vjeçarin Endrit Çaushin, i vrarë më 21 dhjetor 2015-të në një atentat në Durrës, bashkë me një mikun e tij.
Ndërkohë, policia njoftoi dje arrestimin e 25-vjeçarit, për shkak se pas kontrollit, Hajrullës i ishte gjetur në automjet një pistoletë, ndërkohë që autorët e atentatit nuk janë kapur ende nga policia.