Mungesa e një mbikalimi në zonën e ish-Kënetës në Durrës, që rrezikon jetën e rreth 400 fëmijëve që shkojnë çdo ditë në shkollë.
Autostrada ndan përgjysmë këtë zonë, prandaj fëmijë e të rritur kalojnë trafikndarësen për të shkuar në anën tjetër të rrugës ku ndodhet shkolla, Qendra Shëndetesore dhe Njësia Administrative.
Gjatë vëzhgimit që bëri emisioni “BOOM’ në këtë segment rrugor konstatoi se situata është alarmante dhe fëmijët e vegjël kanë qenë shpesh dëshmitar të aksidenteve fatale në ketë pjesë të autostradës.
Këtu shpejtësia e lejuar e mjeteve është 90 km në orë, aq sa është edhe shpejtësia në autostradën Tiranë-Durrës, por në ndryshim me këtë të fundit këtu mungojnë mbikalimet.
Drejtoresha e shkollës 9 vjeçare në ish-Kënetë shprehet se kjo shkollë ka kapacitet për 1100 nxënës, por këtë vit numri i nxënësve ka rënë ndjeshëm pasi prindërit kanë frikë për jetën e fëmijëve.
Prindërit çdo ditë presin te dera e shkollës që të marrin fëmijët, dhe shpesh janë të detyruar të mos shkojnë në punë.
Mësuesja e klasave fillore në fund të mësimit i dorëzon fëmijën çdo prindi.
“Kam ardhur të marr gocën e djalit, vi përditë se ma përplasin makinat. Nuk ka mbikalime, kalojnë në autostradë fëmijët. Rrezikon të na zërë dhe ne plakave jo nxënësit”.
“Mësuesja na i dorëzon çdo ditë fëmijët se nuk kemi mbikalime. Detyrohemi të lëmë punën dhe të vimë ti marrim vetë. Shumë problem”.
Mësuesja: Kështu i dorëzoj çdo ditë fëmijët që nga dita e parë e shkollës. Çdo prind vjen e merr, ose ndonjë motër apo vëlla më i rritur.Mund të ketë rreziqe gjatë rrugës, disa e kanë shtëpinë shumë larg shkollës.
“Të ishin kalamajtë e politikanëve kështu do ti linin? Ne kemi marrë vendim të gjithë banorët këtu do të dalim sa të çojmë një kërkesë në polici do të bllokojmë austradën”.
“Kam tre fëmijë, kjo është e përditshme. Shikoje vetë sa fëmijë kalojnë këtu. Një ditë ndodh e keqja. Janë dalë gratë nga puna me çu fëmijët e vet në shkollë.Një ditë u kishin mbetur fëmijët matanë autostradës, kur kam ardhur unë me gjysëm ore me vonesë, kishin filluar të qajnë atje se kishin frikë me kalu.Ne nuk duam asgjë më shumë, vetëm një mbikalim”.
Kemi shumë frikë kur kalojmë autostradën. Kemi parë shumë aksidente që ndodhin këtu dhe kemi frikë të kalojmë vetë, pa prindërit.
Drejtoresha e shkollës, Pashke Marku: Shkolla ka 860 nxënës pa llogaritur fëmijët e kopështit. Janë më shumë se 400 nxënës që vijnë nga ana tjetër e autostradës dhe kalojnë 2 herë në ditë. Kemi pasur fat deri tani që nuk ka pasur aksidente, sepse këtu vijnë dhe fëmijë që ndjekin shkollën pasdite dhe kalojnë rrugën kur errësohet. Jam e prekur, se jeta e një fëmije kushton më shumë se jeta ime dhe se jeta e një pushtetari, nuk ka atë vlerë që ka jeta e fëmijës. Duam vetëm një mbikalim që fëmijët të kalojnë të sigurt.