Paolo Dybala është kritikuar shumë për atë frazë që kishte thënë shumë kohë më parë sa i përket Leo Messit. Ku ishte shprehur se “është mjaft e vështirë të luash përkrah tij”, në një intervistë ai ka sqaruar gjithçka dhe se nuk ka asgjë me Messin, veçse Leo është idhulli i tij. Dybala është grumbulluar në kombëtaren Argjentinase për dy miqësoret që do të zhvillojë përballë Rusisë dhe Nigerisë.
“Në të njëjtën intervistë jam shprehur që është kënaqësi e madhe të luash përkrah Messit, sepse prej tij mund të mësosh shumë gjëra. Fjalët e mia janë interpretuar keq, për të tërhequr sa më shumë vëmendjen. Leo është idhulli im, opinioni im për të është ekstremisht pozitiv.”
Dybala ka treguar edhe ambiciet e tij për të ardhmen dhe se do që të fitojë shumë trofe. Por ka mohuar që ai të krahasohet me Messin, pasi ai dëshiron të mbahet mend si Dybala dhe të ndërtojë një histori të tijën.
“Në atë konferencë, 18 nga 20 pyetjet ishin për Leon dhe gjithmonë u shpreha me fjalë të mira për të, duke shpjeguar se sa e rëndësishme është figura e tij për të gjithë grupin. Sapo erdha në grumbullim shkova ta takoja për t’i shpjeguar se…, por ai më priti duke qeshur dhe më tha se gjithçka është e qartë dhe nuk kisha çfarë të sqaroja me të. Unë Messi i ri? Dua të jem vetvetja, të fitoj trofetë e mi, me gjithë respektin që kam për Leon. Edhe Messin e kanë krahasuar me Maradonën.”
Higuain është sërish jashtë kombëtares, pasi Sampaoli nuk ka preferuar ta grumbullojë edhe në këto miqësore ku do të mungojë edhe sulmuesi i Interit, Mauro Icardi. Sa i përket ‘çështjes Higuain”, ylli i ri argjentinas ka thënë disa fjalë.
“Njerëzit e duan “EL Pipitan”. Jep gjithmonë 100% në fushë dhe nuk ka çfarë të tregojë më shumë. Ai po punon shumë dhe ëndërron pjesëmarrjen në Botëror.”