Gjatë sezonit të verës, mijëra hektarë me pyje u shkrumbuan, teksa shërbimet e zjarrfikëses ngritën “flamurin e bardhë”. Gazetarët e Fiks Fare udhëtuan drejt qytezës së Fushë Arrëzit, në një nga vendet më të pyllëzuara të Shqipërisë. Gjatë verës, sipas Emergjencave Civile, u dogjën dhjetëra hektarë në këtë zonë të mbrojtur dhe turistike, madje zjarret shkuan edhe afër zonave të banuara.
U mobilizuan vullnetarë dhe punonjësit vendorë, madje edhe një helikopter. Flakët u shuan pas disa orësh, ndërsa dëmet ishin të konsiderueshme.
Pasi filluan zjarret në këtë zonë, Bashkia e Fushë Arrëzit, tentoi dy herë në muajin korrik dhe dy herë në gusht për të blerë një mjet zjarrfikës. Por, në të katër rastet, asnjë subjekt nuk ka paraqitur ofertë. Pas kësaj problematike, në redaksinë e emisionit “Fiks Fare”, mbërritën ankesa edhe për punonjësit e këtij shërbimi; janë mbi 30 vjeç, të proceduar, arrestuar dhe dënuar.
Gazetarët e Fiksit shkojnë në këtë shërbim, ku takojnë z.Ded Gjergji, përgjegjës i MZSH-së së Fushë Arrëzit. Ai nuk pranoi fillimisht të japë shpjegime, madje iu drejtua gazetarëve se “UNË JAM MBRETI KËTU”.
Grupi i Fiksit i bën me dije se janë në një institucion publik, ku nuk ka mbret, por vetëm përgjegjës. Pas bisedave, përgjegjësi thotë se dosjet i ka bashkia, madje edhe dokumentet përkatëse.
Pas “tërheqjes së veshit” nga zyrtarët e bashkisë, përgjegjësi dhe punonjësit e zjarrfikëses pranojnë të japin shpjegime. Një nga punonjësit, z.Nikoll Nikolla, thotë se është person i dënuar për mashtrim me TVSH, por shtoi se gjykatat janë të korruptuara. Ai ishte me profesion shofer. Një punonjës tjetër na tha se është 53 vjeç, por e kanë marrë se ai ka patentë të tipit D. Ndërkohë, një punonjës tjetër thotë se ka qenë i ndaluar nga policia për armëmbajtje dhe mbajtje lëndësh narkotike, por ishte shpallur i pafajshëm. Ndërkohë, punonjësit e tjerë nuk pranuan të japin intervistë.
Gazetarët shkojnë sërish te përgjegjësi, i vetëshpallur “MBRET”, z.Ded Gjergji. Ai thotë se shërbimi ka 9 punonjës, duke përfshirë edhe atë. Janë 3 janë shoferë, megjithëse reparti i Fushë Arrëzit nuk ka asnjë mjet. Të tjerët janë luftuesë. Thotë se deri më tani ia kanë dalë t’i shuajnë zjarret, pasi u mjafton dëshira dhe përkushtimi. Thotë se mjetet do të vijnë dhe gjatë kësaj kohe shoferët kthehen në luftuesa. Zyra e zjarrfikëses është në një godinë trekatëshe, vetëm 20 metër katrorë, ndërsa kanë vetëm uniforma dhe pompa, që i janë falur nga Kisha.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Fushë Arrëzit, Fran Tuci, tha se shërbimi zjarrfikës është krijuar në 2017. Pyetjes se përse janë emëruar punonjës mbi 30 vjeç në kundërshtim me ligjin e 2015, thotë se ka vetëm dy punonjës. Ai tha se nuk është bërë konkurs, ndërsa shtoi se disa punonjës kanë pasur probleme me ligjin, por e kanë zgjidhur.
Kryetari tha se “zjarri ka një sekret! Po u kap në hapat e parë, shuhet”. Ai tha se ka vënë vrojtues për zjarret. Në lidhje me mjetin zjarrfikës, thotë se bashkia ka hapur tender, por të gjitha procedurat kanë dështuar. Sipas tij, zjarret shuhen me mjete nga Puka, të cilat kanë një kosto prej 120 mijë lekësh të vjetra në orë.
Për problemet e punonjësve, kryetari i Bashkisë tha se nuk mund të verifikojnë dokumentet, pasi nuk ndodhej shefja e personelit në punë, pasi kishte fëmijën sëmurë. Ai tha se duke filluar nga e hëna, do të na dërgonte të gjithë dokumentacionin. Gazetarët tentuan të komunikonin me z.Tuci ditën e hënë, madje i dërguan edhe adresën e e-mailit. Por, kryetari u përgjigj se është në takim te kryeministria. Megjithëse kanë kaluar disa ditë, në redaksinë e “Fiks Fare” nuk ka mbërritur asnjë dokument për punonjësit e shërbimit zjarrfikës së Fushë Arrëzit.
BISEDË ME DED GJERGJIN, PËRGJEGJËSIN E MZSH, FUSHË ARRËZ
Përgjegjësi: Ej, a të vjen keq të dalësh, megjithë kamëra përjashta.
Gazetari: Jo, jo, jo. Nuk del kamera.
Përgjegjësi: Kush more?
Gazetari: Jemi bashkë neve.
Përgjegjësi: Po jam Mbreti unë këtu ore.
Gazetari: Nëse je mbreti…
Përgjegjësi: A e di ai ore, çfarë je ti mor.
Gazetari: Unë jam gazetar.
Përgjegjësi: Po të jesh mo gazetar.
Gazetari: Erdha, më the hajde këtu në zyrë.
Përgjegjësi: Erdhe pra.
Gazetari: Unë jam me kamer. Jam në një institucion publik. Këtu nuk ka as mbret. Ky është institucion publik, ti je punonjës i shtetit.
Përgjegjësi: O i nderuar, unë jam punonjës sikur je edhe ti.
Gazetari: Meqenëse je përgjegjës, kam ardhur për të verifikuar…
Përgjegjësi: Dakort pra.
Gazetari: Një informacion. Kërkoj, punësimet në repartin zjarrfikës. Sa persona janë aktualisht të punësuar në Repartin Zjarrfikës të Fushë Arrëzit.
Përgjegjësi: Çfarë të duhen emrat ty more, identiteti është sekret.
Gazetari: Kemi ardhur për të verifikuar disa informacione që kanë mbërritur në redaksinë e “Fiks Fare”. Këto informacione kanë të bëjnë që disa persona, kanë pasur probleme, me precedentë penalë, janë emëruar në Repartin Zjarrfikës. Prandaj, nëse doni, dëshironi, të jepni intervistë, shpjegim, mirë. Nëse nuk doni, faleminderit, dal e shkoj në bashki. Kam ardhur për të verifikuar z.Vladimir Toplana.
Përgjegjësi: Po.
Gazetari: Ky person rezulton i dënuar për plagosje, ka qenë i proceduar. Kam ardhur për të verifikuar për z.Rifat Zeza, që është emëruar mbi moshën e lejuar, që e parashikon ligji, që e ka nën 30 vjeç. Kam ardhur për të verifikuar z.Rit Meta. Kam ardhur për të verifikuar emërimin e z.Pal Pepa. Këto do verifikojmë.
Përgjegjësi: Patjetër.
Gazetari: Nëse doni, ta thash edhe njëherë.
Përgjegjësi: A shkojmë te zyra e burimeve njerëzore pranë bashkisë?
Gazetari: Shkojmë ku të duash ti.
Përgjegjësi: Dakort?
Gazetari: Dakort.