Qeveria e Maqedonisë do të rrisë pagat në disa sektorë, në administratë dhe shëndetësi me 5%, por edhe për punësime të reja në çerdhet për fëmijë dhe institucione tjera.
Kështu parashikohet në buxhetin e vitit 2018, ku qeveria ka vendosur të rrisë pagat në sektorin publik. Por, nga ana tjetër qeveria maqedonase nuk mbështet sektorin e bujqësisë, teksa parashikon më pak financa për subvencionet nga ajo që premtonte në fushatë sipas programit zgjedhor.
Saktësisht, Qeveria e Maqedonisë për vitin 2018 ka paraparë rreth 136 milionë për subvencione, ndërsa para zgjedhjeve parlamentare premtonte 160 milionë euro.
Sipas autoriteteve përkatëse, shuma prej 160 milionë nuk ka qenë e paralajmëruar për vitin e ardhshëm, por kjo shifër duhet të arrihet në mënyrë graduale deri në fund të mandatit të kësaj qeverie, që, në rast se nuk organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare, përfundon në vitin 2021.