Grupi i Partive Popullore Evropiane ka reaguar lidhur me çështjen Tahiri. Me anë të një deklarate në faqen zyrtare, PPE dënon presionin politik të kryeministrit Rama ndaj Prokurorisë.
Në deklaratë shkruhet se PPE mbështet qëndrimin e Bashës, ndërsa i bën thirrje Ramës që të ndërpresë menjëherë presionin politik ndaj Prokurorisë.
“Dekriminalizimi i zyrtarëve publik është një hap i rëndësishëm për fuqizimin e kulturës politike në vend dhe lufta kundër krimit të organizuar mbetet një çështje jetike për Shqipërinë në drejtim të angazhimit të saj për sundimin e ligjit në kuadër të procesit të Integrimit Europian”, përmbyll qëndrimin e tij grupi i Partive Popullore Evropiane.
REAGIMI I PLOTË:
Grupi i Partive Popullore Europiane ka ndjekur me vëmendje presionin politik të kohëve të fundit mbi Prokurorinë, nisur nga fakti se Prokuroria Shqiptare për Krimet e Rënda, i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit për ish-Ministrin e Punëve të Brendshme, Sajmir Tahiri në mënyrë që ta hetojë për akuzat e korrupsionit dhe trafikimit të drogës. Megjithatë, Partia Socialiste, shumica qeverisëse në Kuvend, në 25 tetor votoi kundër heqjes së plotë të imunitetit politik të Tahirit.
Grupi i Partive Popullore Europiane mbështet Lulzim Bashën, liderin e Partisë Demokratike, i cili dënoi presionin politik të Kryeministrit të Shqipërisë mbi Prokurorinë, dhe përdorimin e shumicës parlamentare për mbrojtjen politike të ish-ministrit Tahiri.
Grupi i Partive Popullore Europiane i bën thirrje Kryeministrit Edi Rama dhe shumicës qeverisëse të ndërpresin menjëherë presionin politik ndaj Prokurorisë si dhe të kanalizojnë instrumentet e tyre politikë, në mbrojtje të drejtësisë.
Grupi i Partive Popullore Europiane, nënvizon se dekriminalizimi i zyrtarëve publik është një hap i rëndësishëm për fuqizimin e kulturës politike në vend. Gjithashtu, lufta kundër krimit të organizuar mbetet një çështje jetike për Shqipërinë në drejtim të angazhimit të saj për sundimin e ligjit në kuadër të procesit të Integrimit Europian.