Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, doli mesditën e sotme në një konferencë për mediat duke tundur një dokument të prokurorisë së Katanias, e cila sipas Tahirit, nuk ka nisur asnjë hetim ndaj tij. Ndërsa i kërkoi Prokurorisë së Krimeve të Rënda që ta hetojë dhe të paraqesë çdo provë që ka ndaj tij si person.
Saimir Tahiri po druhet të përballet me drejtësinë kur i kërkon prokurorisë që të publikojë provat para fillimit të një procesi gjyqësor. Duke qenë se ish-ministri i Brendshëm e cilëson si një gjyq politik që po i bëhet, ai kërkon prova përpara se vendoset përballë trupit gjykues.
Për ta përforcuar një argument të tillë, Tahiri mbrohet pas një dokumenti të Prokurorisë së Katanias, e cila sipas tij, nuk ka nisur asnjë hetim kundrejt shtetasit Saimir Tahiri.
https://www.facebook.com/tiranatodaycom/videos/364865590624851/
“Prokuroria e Katanias nuk ka gjetur në asnjë moment një lidhje të vogël për të nisur një hetim ndaj meje. Kur është kështu, si ka mundësi që Prokuroria jonë brenda 48 orëve kërkoi dhe kërkon arrestimin tim. A nuk i tha prokuroria publikut se prisnin letra nga Italia? Kaq të vështirë e kishin institucionet tona të merrnin këtë përgjigje të thjeshtë që e mora unë për 48 orë? Kaq të vështirë e kishin që në atë përgjim flitet për një Saimir që ka kamiona dhe merret me trafik droge? Si ka mundësi që prokuroria nuk dinte fare që unë kisha kërkuar hetim që në 2015, edhe për makinën edhe për Habilajt. Si ka mundësi që nuk e dinte se me kërkesën time ka hetuar gati një vit? Si nuk mori kush mundimin të bëjë një verifikimin si ky që bëra unë?”, theksoi Tahiri duke i drejtuar një sërë pyetjesh Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Për këtë arsye, po ditën e sotme, Tahiri i drejtoi një kërkesë Prokurorisë së Krimeve të Rënda që të hetohet plotësisht dhe çështja të sqarohet deri në fund.
Ndërkaq deputeti i Partisë Demokratike, Enkeled Alibeaj, theksoi sot se Prokuroria e Katanias nuk ka tagër ligjor të hetojë Tahirin për shkak se ky i fundit sipas akuzave, përfshirjen në trafikun e drogës e ka kryer në Shqipëri dhe jo në Itali siç ndodhi me Habliajt, që u kapën duke e kryer aktivitetin e tyre kriminal në Itali, ndërsa shtoi se është detyra e prokurorisë shqiptare që të hetojë Tahirin. Rasti i ish-ministrit të Brendshëm ka sjellë në vëmendje një precedent të përdorur më parë edhe nga ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, i cili ishte dënuar më parë me akuzën e përdhunimit në shtetin italian.
ELVIS ROSHI
Në qershorin e vitit të kaluar, Roshi vuri në dispozicion dy dokumente, që sipas tij përbënin dëshminë e penalitetit dhe sipas të cilave ish-kryetari i Bashkisë rezultonte i pastër.
“Kam 3 ditë këtu dhe posedoj, dy dëshmitë e mia të penalitetit dhe çdo certifikatë të mundshme e cila tregon në dritën e diellit që unë s’kam pasur probleme me drejtësinë italiane. Duke qenë se jetojmë dhe punojmë me një shtet ligjor, kam vendosur që mos ju besoj letrave të bakallit por çdo letër e cila ka vlerë ligjore dhe çdo element që e bën atë të vlefshme”, u shpreh Roshi në qershorin e vitit të kaluar.
Një javë më vonë Roshi u arrestua me urdhër të gjykatës, pasi akuzohej se kishte fshehur të shkuarën e tij kriminale në formularin e vetëdeklarimit. Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se Rroshi kishte fshehur një dënim për përdhunim në Itali, dy dëbime nga Italia dhe Zvicra përgjatë viteve 1993-1995 dhe një arrestim të dytë në Zvicër në vitin 1997, me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Cyrihut.
Roshi ia hodhi drejtësisë me vetëm një “arrest-shtëpie”. Ndërsa në 12 tetorin e 2016-s, Gjykata e Lartë ndryshoi masën e sigurisë për ish-kryetarin e Bashkisë së Kavajës, duke i caktuar si masë detyrimi për t’u paraqitur një herë në Prokurori. Ndërsa më pas Roshi dha dorëheqjen si kryetar bashkie për t’i hapur rrugë zgjedhjes së kreut të ri të këtij qyteti.
SAIMIR TAHIRI
Ndryshe nga Roshi, Tahiri akuzohet për përfshirje në trafikun e drogës midis Shqipërisë dhe Italisë, ku i gjithë aktiviteti kriminal drejtohej nga kushërinjtë e tij, veçanërisht njëri prej tyre Moisi Habilaj. Nga përgjimet 4-vjeçare të prokurorisë së Katanias emri i ish-ministrit të Brendshëm rezulton në bisedat që kryenin vëllezërit Habilaj, ku ish-ministri i Brendshëm përflitet se fitonte 5 milionë euro në muaj si rezultat i këtij aktiviteti kriminal
Pas përgjimeve banda Habilaj ra në pranga së bashku me bashkëpunëtorët e tyre italianë. Italia dërgoi drejt Shqipërisë një dosje prej 416 faqesh ku në të rezultonte edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm. Këtu mori indicet edhe prokuroria shqiptare e cila kërkoi arrestimin e Tahirit duke iu drejtuar më parë Kuvendit për të marrë autorizimin prej këtij institucioni dhe për të vijuar më pas me arrestimin dhe hapjen e një procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit.
Por, Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve, me votën e socialistëve e hodhi poshtë kërkesën e Prokurorisë duke ia lënë seancës së nesërme plenare që të vendosë për të. Tahiri doli sot me një përgjigje të prokurorisë së Katanias e cila sipas ish-ministrit nuk ka nisur asnjë hetim ndaj tij.
Megjithatë, pritet të shihet sesi do të vendosë Kuvendi ditën e nesërme ndaj kërkesës së Prokurorisë për arrestimin ose jo të ish-ministrit të Brendshëm. Nga ana tjetër, vetë Tahiri po përpiqet të mbrohet përmes shkresës së Prokurorisë së Katanias, ashtu si Roshi kur ia hodhi drejtësisë vitin e kaluar. TIRANA TODAY