Vuajtja e vazhdueshme e popullit që jeton nën rrethim në Siri është sjellë në fokus nga imazhet e një fëmije të kequshqyer, i cili vdiq nga uria në periferi të Damaskut. Imazhet, të publikuara të hënën nga agjencia e lajmeve AFP, tregojnë Sahar Dofdaa, një fëmijë njëmuajsh që peshon më pak se 2kg, me sy të thellë dhe brinjët që dilnin përmes lëkurës së tejdukshme.
Fëmija ishte duke u trajtuar për kequshqyerje nga një mjek në qytetin Hamouria, në rajonin lindor Ghouta. Vdiq të dielën. “Ka shumë pak furnizime nëse vazhdon kështu do të vdesin më shumë fëmijë”, tha një zyrtar që kërkoi anonimitet.
Dhjetëra mijëra njerëz jetojnë në Ghouta, nën një bllokadë të vendosur nga besnikët e Bashar al-Assad. Rreth 3.5 milionë njerëz në Siri jetojnë në zona të rrethuara ushtarakisht nga regjimi i Asadit. Lufta e brendshme e forcave rebele dhe grumbullimi i furnizimeve ushqimore nga tregtarët kanë sjellë një krizë të tmerrshme.
Mjekët dhe aktivistët thonë se mungesat e ushqimit janë aq të rënda sa që dhjetëra raste kequshqyerje po shtrohen nëpër klinika dhe spitale në terren. Nënat e reja nuk janë në gjendje të ushqejnë me gji fëmijët e tyre, sepse janë vetë të kequshqyer, dhe produkte të tilla si qumështi i fëmijëve thuajse nuk ekzistojnë.
Mohamad Katoub, mjek dhe zyrtar në Shoqërinë Amerikane të Mjekësisë Siriane, që drejton disa spitale në Ghouta, tha se aktualisht janë shtruar 68 raste të kequshqyerjes së rëndë. Ai tha se vdekja e pacientëve zakonisht vinte si rezultat i kequshqyerjes që dobësonte sistemet e tyre imunitare, të cilat më pas nuk u shmangeshin dot infeksioneve.
Yahya Abu Yahya, një mjek në spital tha për AFP-në se nga 9,700 fëmijë të ekzaminuar në muajt e fundit, 80 ishin duke vuajtur nga forma më e keqe e kequshqyerjes, 200 kishin kequshqyerje akute të moderuar dhe 4,000 kishin mangësi në ushqim.
Sahari, fëmija në fotografi, nuk mundi të ushqehej me gji sepse nëna e saj nuk kishte ushqim të mjaftueshëm për të prodhuar qumësht, sipas AFP-së.
“Sot Ghouta lindore po vuan nga lloji më i keq i kriminalitetit”, tha aktivisti Raed Srewel. “Mijëra fëmijë janë në rrezik dhe nëse nuk ka ndonjë lëvizje ndërkombëtare apo një nismë të OKB-së për ta zgjidhur pasojat do të jenë jashtëzakonisht të tmerrshme dhe Ghouta do të kthehet në një katastrofë humanitare”.
Lindja e qytetit të Ghouta është një nga disa zonat “përshkallëzuese” të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia dhe Turqia për të reduktuar dhunën në Siri. Por qeveria ka mbajtur rrethim të detyruar në zonë, duke shkaktuar vuajtjen e popullsisë.
Zyrtarët e ndihmave thonë se familjet janë detyruar të shesin ushqimet e tjera që të blejnë prodhimet më thelbësore si sheqeri ose buka, duke rritur numrin e rasteve të kequshqyerjes akute. “Një kilogram sheqer tani kushton 15 dollarë”, tha një zyrtar – “një çmim që shkon shumë më larg asaj që njerëzit kanë jetuar për vite në kushte brutale.”
Qeveria ka kufizuar ndihmën e organizatave ndërkombëtare dhe OKB-së, dhe arratisjet e rebelëve e kanë bërë më të vështirë dërgimin e ndihmës. Është krijuar një treg lokal i zi, i kontrolluar nga tregtarë të paskrupullt që kanë shtrenjtuar ekstremisht prodhimet bazë. Shumica e familjeve mbijetojnë me bukë elbi, ullinj dhe bimë të ziera.
Rrethimi i Ghoutës lindore ishte prej kohësh i përshkueshëm dhe kontrabandistët e kishin shmangur duke u dhënë ryshfet luftëtarëve që kontrollonin pikat hyrëse-dalëse. Por një ofensivë rebele në zonat rurale të Damaskut, bëri që qeveria të forcojë ndjeshëm bllokadën.
Dhuna vazhdon në zona të tjera të Sirisë, ku militantët e Shtetit Islamik vranë më shumë se 80 vetë gjatë dy ditëve të fundit me akuzën e bashkëpunimit me qeverinë siriane.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë e monitorimit të luftës, shkruan se 83 vetë u vranë nga ISIS në qytetin Qaryatain në provincën Homs. Qyteti ra në duart e shtetit Islamik në vitin 2015 kur militantët pushtuan qytetin historik të Palmirës; thuhet se ISIS shkatërroi një manastir dhe burgosi shumë banorë të krishterë të Qaryatainit. Qytetin e rimori më vonë qeveria me mbështetjen e forcave ruse, por ISIS kohët e fundit ka filluar një kundër-ofensivë.
Përshtati nga “The Guardian” për Tirana Today, Refxhei Tola