Ka nisur në Gjykatën Kushtetuese seanca për ankimimin e ligjit të Vettingut.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve kanë kërkuar ndryshimin e disa neneve, pasi pretendojnë se nenet në fjalë janë antikushtetuese.
Në këtë padi të përbashkët të bërë nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkohet shfuqizimi i 25 neneve nga paketa e tre ligjeve kryesore të reformës në drejtësi.
Mësohet se në “shënjestër” janë nene të tilla si pamundësia për t’u dorëhequr gjatë kohës që janë në sitën e vettingut, marrja për bazë e opinionit publik në vlerësimin e tyre, deklarimet e dëshmitarëve të drejtësisë si dhe kontaktet me botën e krimit, të cilat ata i konsiderojnë si antikushtetuese.
Në seancë do paraqesin qëndrimet e tyre Kuvendi, Këshilli i Ministrave, si dhe dy shoqatat e gjyqtarëve që kanë ngritur padinë.