Ekonomisti politik, Benjamin Friedman, e krahasoi dikur shoqërinë moderne perëndimore me një biçikletë të qëndrueshme, rrotat e të cilës mbahen në lëvizje nga rritja ekonomike. Nëse pedalimi përpara ngadalësohet apo ndalon, shtyllat që përcaktojnë shoqërinë tonë – demokracia, liritë individuale, toleranca sociale dhe më shumë se kaq- do të fillojnë të lëkunden.
Bota jonë do të bëhet një vend gjithnjë e më i shëmtuar, i përcaktuar nga përleshjet e vazhdueshme mbi burimet e kufizuara, dhe një refuzim i menjëhershëm i cilitdo që është jashtë grupit tonë. Në rast se s’mund të gjejmë asnjë mënyrë për të vënë sërish në lëvizje rrotat, do të përballemi përfundimisht me një kolaps total shoqëror.
Rënie të tilla kanë ndodhur shumë herë gjatë historisë njerëzore, dhe asnjë qytetërim, pavarësisht sa i madh mund të jetë në dukje, nuk është i imunizuar ndaj dobësive që mund të çojnë një shoqëri në fundin e saj. Pavarësisht se sa mirë po shkojnë gjërat aktualisht, situata gjithmonë mund të ndryshojë. Lënë mënjanë ngjarjet apokaliptike që i japin fund species sonë, si goditja nga ndo0një asteroid, dimri bërthamor apo ndonjë epidemi vdekjeprurëse, historia na tregon se ekzistojnë zakonisht një numër i madh faktorësh që kontribuojnë tek kolapsi i mundshëm.
Ndërsa është e pamundur parashikimi i të ardhmes me siguri, matematika, shkenca dhe historia mund të japin disa tregues rreth perspektivave të shoqërive perëndimore një një periudhë afatgjatë. Safa Motesharrei, shkencëtar i sistemeve në Universitetin e Merilendit në SHBA, përdor modelet kompjuterike për të përftuar një kuptim më të thellë të mekanizmave që mund të çojnë drejt një qëndrueshmërie apo kolapsi lokal ose global. Sipas gjetjeve që Motesharrei dhe kolegët e tij i publikuan në vitin 2014, ka dy faktorë me rëndësi:tendosja ekologjike dhe shtresëzimi ekonomik.
Kategoria ekologjike, është rruga më e njohur dhe e kuptuar më gjerësisht, e cila mund të na çojë drejt një katastrofe të mundshme, veçanërisht në aspektin e shterimit të burimeve natyrore si nëntoka, toka, peshkimi dhe pyjet – dhe ku të gjitha këto mund të përkeqësohen nga ndryshimi i klimës.
Nga ana tjetër, fakti që shtresëzimi ekonomik mund të çojë në një kolaps më vete, rezultoi si diçka e papritur për Motesharrei-n dhe kolegët e tij. Sipas këtij skenari, elitat e shtyjnë shoqërinë drejt destabilitetit, dhe kolapsi i mundshëm nga rrethimi me sasi të mëdha pasurish dhe burimesh, duke iu lënë pak apo asgjë njerëzve të zakonshëm, që në fakt i mbështesin të pasurit me krahun e punës.
Përfundimisht, klasa punëtore e popullsisë bie në kolaps, për shkak se pjesa e pasurisë
Së caktuar për të nuk është e mjaftueshme, e pasuar nga rënia e elitave për shkak të mungesës së punës. Pabarazitë që ne shohim sot, si brenda ashtu edhe midis vendeve, janë të frikshme. Për shembull, 10 për qind e fituesve kryesorë të të ardhurave globale, janë përgjegjës për thuajse 90 për qind të gazeve që emetohen në atmosferë. Gjithashtu, rreth gjysma e popullsisë së botës, jeton me më pak se 3 dollarë në ditë.
Për të dy skenarët, modelet përcaktojnë një kapacitet mbajtës – një nivel të përgjithshëm të popullsisë që mund të mbështesin në një periudhë afatgjatë burimet e një mjedisi të dhënë. Nëse kapaciteti mbajtës rëndohet shumë, rënia bëhet e pashmangshme. Megjithatë një fat i tillë është i evitueshëm.
“Nëse bëjmë zgjedhje racionale për të reduktuar faktorët siç janë pabarazia, rritja eksplozive e popullsisë, shkalla në të cilën shterojmë burimet natyrore dhe shkallën e ndotjes – të gjitha gjëra që mund të realizohen – atëherë mund të shmangim kolapsin dhe stabilizohemi në një trajektore të qëndrueshme”- thotë Motesharrei.
Mjerisht, disa ekspertë besojnë se këto vendime të vështira, i tejkalojnë aftësitë tona politike dhe psikologjike. “Bota s’do të arrijë të zgjidhë dot problemin e ndryshimit të klimës gjatë këtij shekulli, thjesht pasi është më e kushtueshme të zgjidhësh problemin
në një periudhë afatshkurtër, se sa të vazhdosh të veprosh si zakonisht”- thotë Jorgen Randers, profesor i strategjisë së klimës në Shkollën norvegjeze të Biznesit BI, dhe autor i librit “2052:Një parashikim global për 40 vitet e ardhshme”.
“Problemi i klimës do të rëndohet më tej, pasi ne s’do të jemi në gjendje të përmbushim angazhimet që kemi marrë si shtete të veçanta në kuadër të Marrëveshjes së Parisit, apo edhe në raste të tjera”- shton ai. E shkuara, mund të sigurojë gjithashtu tregues mbi mënyrën se si mund të shpaloset e ardhmja.
Merrni për shembull, ngritjen dhe rënien e Perandorisë Romake. Deri në fund të vitit 100 P.E.S, romakët qenë përhapur në të gjithë Mesdheun, në vendet që arriheshin më lehtë nga deti. Ata duhet të ishin ndalur atje, por gjërat po shkonin mire, dhe romakët ndiheshin të fuqishëm për të zgjeruar kufijtë me toka të reja.
Por, ndërsa transportit detar ishte ekonomik, ai tokësor qe i ngadaltë dhe i shtrenjtë. Dhe ndërsa ata po zgjeroheshin në brendësi të territoreve, u shtuan edhe shpenzimet. Perandoria arriti të jetë e qëndrueshme në shekujt që pasuan, por pasojat e atij zgjerimi të pamatë u ndjenë në shekullin III të Erë Sonë, kur perandoria filloi të rrrënohej nga luftërat e brendshme civile dhe pushtimet e huaja.
Perandoria u përpoq të ruante zotërimet e saj kryesore, edhe pse ushtria konsumonte buxhetin e saj, dhe inflacioni u rrit gjithnjë e më shumë, teksa qeveria e zhvlerësoi monedhën e saj të argjendtë, në përpjekje për të mbuluar shpenzimet e saj në rritje. Ndërsa disa studiues përmendin si fillimin e rënies vitin 410, kur Visigotët pushtuan dhe plaçkitën kryeqytetin Romë, ajo ngjarje dramatike u bë e mundur nga një spirale rënëse që kishte filluar më shumë se një shekull më parë.
Sipas Joseph Tainter, profesor i mjedisit dhe shoqërisë në Universitetit Shtetëror të Jutah në SHBA, dhe autor i librit “Rënia e shoqërive komplekse”, një nga mësimet më të rëndësishme mbi rënien e Romës, është se kompleksiteti e ka një kosto. Siç thuhet në ligjet e termodinamikës, lipet energji për të mbajtur çdo sistem në një gjendje komplekse dhe të rregullt, dhe shoqëria njerëzore nuk bën përjashtim.
Deri më tani, shoqëritë moderne perëndimore kanë qenë kryesisht në gjendje të vonojnë proçese të ngjashme të rënies, përmes lëndëve djegëse fosile dhe teknologjive industriale – kini parasysh kërkimet dhe nxjerrjen e naftës argjilore në det që prej vitit 2008, vetëm për të kompensuar çmimet e larta të naftës. Por Tainter dyshon se ky nuk do të jetë gjithmonë rasti.
Investimet mbi kompleksitetin, si një strategji për zgjidhjen e problemeve, arrijnë pikë e një kthimi të reduktuar, duke çuar në dobësi fiskale dhe rrezikun e shembjes. Ndërkohë, një hendek në zgjerim mes të pasurve dhe të varfërve brenda atyre kombeve tashmë të rrezikuara perëndimore, do ta shtyjë shoqërinë perëndimore drejt një destabiliteti të mëtejshëm nga brenda.
Evropa, me afërsinë e saj të madhe me Afrikën, dhe rripin tokësor që e lidh me Lindjen e Mesme, dhe fqinjësia me shumë popujt të Lindjes së Mesme politikisht të paqëndrueshme, do t’i ndjejë e para këto presione. SHBA ka të ngjarë të mbetet jashtë këtyre problemeve për një kohë të gjatë, e izoluar nga 2 oqeanet.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce