Kampet e përqendrimit të Gjermanisë naziste janë më të njohurit, pasi aty gjetën vdekjen miliona njerëz nën diktaturën e Adolf Hitlerit. Por një aspekt historik, të cilin e njohin shumë pak njerëz, është se edhe në Shtetet e Bashkuara kanë ekzistuar gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore kampe përqendrimi, ku janë mbajtur qytetarët amerikanë me prejardhje japoneze.
Pas sulmit në Pearl Harbor në vitin 1941, në Shtetet e Bashkuara u përhap një ndjenjë e fortë anti-japoneze, e cila çoi deri në një internim të detyruar të mijëra njerëzve me origjinë japoneze. Një prej këtyre kampeve ishte Manzanar Relocation Center.
Në fillim të vitit 1942, Presidenti Ruzvelt nënshkroi Urdhrin Ekzekutiv që legalizoi ndërtimin e kampeve të përqendrimit për japonezët: familjet japonezo-amerikane, që kishin shpesh më pak se një javë kohë për të mbledhur gjërat e tyre, u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre pa ndonjë informacion paraprak se do të dërgoheshin dhe për sa kohë.
Nga mijëra njerëz që u transportuan të shoqëruar nga ushtria në Qendrën Manzanar, gati dy të tretat ishin qytetarë amerikanë që nga lindja e tyre. Manzanar, i pari nga 10 kampet e internimit për japonezët, ishte fillimisht një “pikë grumbullimi” e Administratës së Kontrollit në kohën e Luftës Civile. Ky kamp në stilin ushtarak, ndodhej i vendosur në lindje të Sierra Nevadas, rreth 200 milje në veri të Los Angeles.
Brenda kampit kishte kisha, dyqane, një spital, një zyrë postare, dhe një auditorium për shkollën. Por kjo nuk do të thotë se të internuarit patën një jetë të lehtë:burrat dhe gratë kishin tualete të përbashkëta, dhe ndarjet mes banesave ishin shpesh rastësore, kështu që familjet ndaheshin dhe detyroheshin të jetonin me njerëz të panjohur dhe në një ambjent të mbipopulluar.
Edhe pse të privuar nga liria, të burgosurit e Manzanar-it u përpoqën të mbijetonin sa më mirë që të ishte e mundur, duke organizuar programe rekreative dhe të një natyre fetare, dhe madje themeluan edhe një gazetë, “Manzanar Free Press”.
Gjatë katër viteve të ekzistencës së kampit, disa fotografë u ftuan për të dokumentuar jetën e përditshme të “miqve”; fotografi i famshëm Ansel Adams, qe një nga të paktët që arriti të fotografonte të burgosurit, por s’ka dyshim se edhe puna e tij kaloi nëpër filtrat e çensurës.
Qendra Manzanar dhe kampet e tjera të internimit, u mbyllën në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, por shumë prej të burgosurve nuk e dinin se ku të shkonin pasi rifituan lirinë.
Ndikimi ekonomik i ndalimit të tyre ishte shkatërruese, dhe po kështu edhe ndikimet sociale dhe kulturore. Vetëm në vitin 1988, Presidenti Ronald Regan i kompensoi të mbijetuarit e internimit, duke u dhënë nga 20.000 dollarë secilit prej tyre, ndërsa në vitin 1993, Presidenti Bush kërkoi ndjesë zyrtare në emër të qeverisë amerikane.
CIA u përpoq gjatë Luftës së Ftohtë të përdorte edhe macet si spiune
Mund të mos jetë dhe aq e çuditshme, sa mund të duket në pamje të parë. Macet nga natyra janë të fshehta, të zgjuara, ta shpejta, mund të kërcejnë nga objekte të larta, dhe shumica e njerëzve kur shohin një mace kanë prirje ta përkëdhelin atë, duke mos dyshuar se është një spiune.
Për këto arsye, shërbimi sekret amerikan u vendosi nga një transmetues 2 cm të gjatë, një maceje ngjyrë gri dhe një tjetre të bardhë. Ata pastaj fshehën një mikrofon në kanalin e veshit të tyre, ndërsa një antenë u përshkonte shpinën deri në majën e bishtit.
Megjithatë, duke qenë se macet janë relativisht të vogla në madhësi, bateritë që u përdorën ishin të vogla, dhe mund të regjistronin vetëm biseda të shkurtra. U deshën jo pak kohë që çdo pjesë të vendosej tamam në vendin e vet. CIA deshi të sigurohej që macja të kishte lëvizshmëri të plotë, dhe të mos lëpihej apo kruhej në vendet ku ishin instaluar pajisjet përgjuese.
Operacioni ishte pjesërisht i lehtë; pjesa më e vështirë kishte të bënte me stërvitjen e maces për të ndjekur udhëzimet. Sikurse e di cilido që ka patur ndonjëherë një mace, bindja e një maceje për të bërë çdo gje tjetër përveç asaj që dëshiron, është një punë jo e lehtë.
Pas 5 viteve trajnimi dhe 20 milionë dollarëve të shpenzuar, CIA mendoi se kishte ardhur koha për të hedhur në veprim “agjenten’ e tyre të veçantë, duke e lëshuar për të lëvizur në drejtime të caktuara dhe shkuar në vende të veçanta sipas komandave të dhëna (për aq kohë sa nuk shpërqendrohej, mërzitej apo e merrte uria, çka për një mace ndodh thuajse gjatë gjithë kohës).
Pavarësisht nga këto rreziqe, ata vendosën të testojnë në terren agjenten tejet të trajnuar “Acoustic Kytty” (Kotelja Akustike), në kuadër të një projekti që kushtoi plot 20 milionë dollarë. Agjentët çuan një furgon në një rrugë të njohur si një vendtakim, mes sovjetikëve dhe agjentëve të tyre në Uashington DC.
Objektivat e operacionit qenë dy burra të ulur në një stol në një park aty pranë. Agjentët e CIA-s hapën derën e furgonit, dhe ulën poshtë “agjenten” e tyre të fshehtë. Macja bëri disa hapa, dhe u shtyp për vdekje nga një taksi që po kalonte rrugën në atë moment.
S’është nevoja të thuhet se qe një katastrofë (e paralajmëruar). Projekti “Acoustic Kitty” më pas u anulua, dhe u quajt një dështim i plotë.
Por macet nuk janë kafshët e vetme që i janë nënshtruar eksperimenteve të çuditshme, në funksion të luftës apo operacioneve agjenturore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ushtria i pagoi 25 mijë dollarë psikologut B.F.Skiner, për të trajnuar pëllumbat në udhëzimin e raketave për të goditur objektivat e përcaktuar.
Kjo përfshinte vendosjen e pëllumbit brenda një rakete, dhe me anë të një kamere në pjesën e përparme të raketave, zogu mund të shihte se ku ishte duke drejtuar raketa në një ekran të vogël brenda saj. Pastaj pëllumbi mund të çukiste në ekran, se kur raketat duhej të ndryshonin kurs drejt vendit ku pëllumbi ishte trajnuar t’i dërgonte.
Megjithatë, edhe ky projekt u la në mes, pasi zyrtarët e lartë të qeverisë e cilësuan qesharake si ide. Ndërkohë në vitin 1962, një grup shkencëtarësh kërkuan të dinin se çfarë efektesh do të kishte droga halucinogjene LSD tek një elefant i rritur. Uoren Tomas, drejtori i kopshtit zoologjik të qytetit, injektoi një shiringë që përmbante 297 miligram LSD elefantit Tusko.
297 miligram përmban në fakt shumë LSD – rreth 3000 herë sa niveli i një dozë tipike tek njerëzit që e përdorin atë. Në fakt, ajo mbetet doza më e madhe e LSD-së e injektuar ndonjëherë tek një krijesë të gjallë. Pas pak çastesh, elefanti Tusko, u shemb përtokë. Ekipi u përpoq për dy orë më radhë për ta ringjallur, por pa sukses. Përfundimi i ekipit të shkencëtarëve:”Me sa duket, elefanti është shumë e ndjeshëm ndaj efekteve të LSD!”.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce