Pjesa qendrore e Forumit Strategjik Bled 2017, ishte një debat mbi të ardhmen e Bashkimit Evropian, dhe hapat e mundshëm për konsolidimin e saj në një realitet të ri. Përfundimi i pjesëmarrësve, ishte se lidershipi i ri, veçanërisht në nivelin e BE-së, përfshirja më e madhe e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes në nivelin mbi kombëtar, dhe integrimi i mëtejshëm i Ballkanit Perëndimor, duhet të jenë frytet kryesore të këtij ndryshimi.
Perspektiva e zymtë që pasoi Brexit, dhe zgjedhjet presidenciale amerikane në shumicën e vendeve evropiane gjatë vitit të fundit, i la vendin një optimizmi të përmbajtur për shkak të zgjedhjeve presidenciale franceze, si dhe të dhënave të Eurobarometrit të fundit. Një qëndrim i tillë mbizotëronte edhe në Bled.
Disa herë gjatë 10 ditëve të fundit, në sesionin e hapjes së konferencës së Ambasadorëve të BE-së për vitin 2017, dhe në Forumin Strategjik Bled që mbylli punimet, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federika Mogherini, tha se Ballkani “nuk është pragu i shtëpisë: është Evropa”.
Unë nuk shoh asgjë të re dhe veçanërisht pozitive në këtë deklaratë, pasi ajo u pasua nga shqetësimi për stabilitetin në këtë rajon, që ka qenë prej disa kohësh në qendër të vëmendjes së unionit. Bashkimi Evropian, është duke flirtuar ende me shumë opsione të Bankës Botërore për një numër më të madh të politikave të BE-së, dhe zhvillimet e tyre paralele.
Në të njëjtën kohë, unioni po blen kohë duke ruajtur statuskuonë, për të forcuar veten për sfidat e reja. Kjo nuk është hera e parë që Bashkimi Evropian ndodhet në krizë. Komuniteti mbikombëtar, po përballet me mungesën e legjitimitetit demokratik, më shumë sesa vendet e Ballkanit Perëndimor, që po përpiqen të krijojnë disa skica të sistemeve të qeverisura në mënyrë demokratike.
Pra, ndoshta nuk jemi duke folur për një krizë të qëndrueshme, por një proces konstant të vënies në pikëpyetje dhe ri-shqyrtimit në të gjitha nivelet brenda BE-së, që kalon nëpër uljet-ngritjet e veta. Përpjekjet për të kapërcyer “uljet” e fundit, kanë qenë të pamjaftueshme, dhe me një ndikim afatshkurtër.
Zvarritja e paralajmëruar e procesit të integrimit, dhe forcimi i konceptit të Evropës me shumë shpejtësi, ku ne presim propozime konkrete nga presidenti francez dhe fituesi i zgjedhjeve në Gjermani në fund të këtij muaji, priten me një qëndrim të ndryshëm nga vendet anëtare të unionit dhe ato të Ballkanit Perëndimor.
Shtetet anëtare që nuk janë pjesë Shengenit dhe Eurozonës, nuk janë të kënaqura. Sipas mendimit të tyre, ky koncept do të çojë në fragmentim të mëtejshëm të unionit. Ndërsa ato që janë pjesë e të dyjave, janë tashmë shkaku i dhimbjes së kokës në BE. Sllovenia, mikpritësja e forumit, e sheh veten në radhën e parë, brenda rrethit më të ngushtë të integrimit.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, janë ende optimiste lidhur me përmbushjen e kushteve për një integrim të plotë në BE. Më konkretisht, optimizmi qëndron në nivelin më të lartë. Kohët e fundit, një vëzhgimi i Gallup tregoi se më pak se 50 për qind e qytetarëve të vendeve më të përparuara në procesin e integrimit (Mali i Zi dhe Serbia), besojnë në prosperitetin e anëtarësimit në BE.
Duke marrë parasysh simulimin aktual të reformave në Ballkanin Perëndimor, unë nuk shoh ndonjë arsye për të pasur shumë besim. Fakt është se BE-ja ka sot më shumë probleme në oborrin e saj, sesa 14 vjet më parë, kur ajo caktoi agjendën e reformave për Ballkanin Perëndimor në Selanik.
Udhëheqësit e BE-së kanë rrezikuar “projektin evropian”, duke i shpërfillur këto probleme (duke përfshirë problemet strukturore të demokracisë). Ky projekt nuk ka të ardhme, pa e tubuar më tej Evropën rreth vlerave demokratike, të cilat duhet të jenë inkurajuese për rajonin. Megjithatë, fakt është se autokratët në Ballkanin Perëndimor, nuk shqetësohen fare për demokracinë.
Paradoksalisht, ashtu sikurse u tha në një shaka jo shumë të këndshme nga ana e ministrit të Jashtëm serb gjatë Forumit Strategjik të Bledit, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor janë më pranë se kurrë njëra-tjetrës, por vetëm në dështimin për t’u siguruar qytetarëve të saj vlerat që ata mbrojnë me forcë.
Pra, nëse “duhet të mendojmë për një Evropë me disa formate, le të shkojmë më tej me ata që duan të ecin përpara, pa u penguar nga shtetet që duan – dhe janë në të drejtën e tyre – të mos ecin dhe aq shpejt, apo të mos shkojnë dhe aq larg”, siç u tha nga presidenti francez, ne duhet të presim një frymë konkurruese tek vendet anëtare. Apo jo.
Por për vendet e Ballkanit Perëndimor, fatura është e qartë; rruga përpara kërkon më shumë përpjekje, sesa ato që po dëshmojnë tani. Në të njëjtën kohë, BE-ja me përpjekjet e saj për të demokratizuar dhe stabilizuar Ballkanin Perëndimor, duhet të bëjë të njëjtën gjë si në shtëpi: praktikat autokratike, duhet të thërriten me emrin e tyre të vërtetë, pavarësisht se ku gjallojnë ato.
Shënim: Jovana Maroviç, drejtore ekzekutiv i rrjetit “Politikon”, një institut studimor me qendër në Podgoricë, njëherazi anëtare e Grupit të Punës për Kapitullin 23, Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore, në kuadër të negociatave të pranimit në Malit të Zi në BE.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce