Dhuna në familje nuk është diçka që vjen vetëm nga një faktor. Duhet të kuptojmë që individi i dhunshëm është një person, i cili ka shumë mundësi që të ketë qenë pjesë e një ambienti të dhunshëm, ku edhe studimet tregojnë që janë personi në prani të dhunës së vazhdueshme familjare.
Situata e dhunës familjare nuk është vetëm fizike, por kemi disa lloje dhunash, që është dhuna ekonomike, është dhuna verbale, janë fyerjet, ofendimet, degradimet e kësaj natyre në edukimin e fëmijëve që shkaktojnë komplekse serioze dhe vështirësi në qasjen e një personaliteti të shëndetshëm, i cili në dobësinë për t’u vetërealizuar në jetë, i shkarkon dhe i zhvendos problemet duke ushtruar dhunë.
Pra, dhuna bëhet si një zgjidhje imediate e problemeve dhe jo forma alternative të shëndetshme, sic është racionalizimi, argumentimti, komunikimi, fjala etj. Sa më e varfër të jetë shoqëria, jo vetëm varfëri ekonomike, por edhe varfëri intelektuale, varfëri sociale, aq më shumë ne do kemi persona që i zgjidhin problemet në rrugë të shkurtra, jo vetëm dhunë në familje, por siç janë krijimi i sigurimit të një jetese komode, ose të vetrealizimit në rrugë të shkurtra, siç janë krime nëpërmjet vjedhjeve, krime nëpërmjet akteve delikuente etj.
Kur ti shikon një bashkëshort, i cili ushtron dhunë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes, apo ish-bashkëshortes, kur nuk pranon realitetin e disfatës, të humbjes, këtu kemi të bëjmë edhe me prirjet kulturore të realitetit social, ose të realitetit shqiptar.
Kultura që kanë të indoktrinuara mekanizma patriarkalë ku barazia gjinore nuk zë vend shëndetshëm, ku kemi të bëjmë me një mbivendosje të gjesteve arkaike. Pra ne vazhdojmë akoma të ushtrojmë mendimin se gruaja është më e dobët se burri, se ajo duhet t’i nënshtrohet rregullave të burrit, madje edhe zgjedhjet që ajo bën nuk meritojnë të kenë jetëgjatësi.
Pra, një grua që zgjedh të divorcohet, që zgjedh të jetojë më vete, që është një nënë e mirë, që përkushtohet, që është e zonja në fund të fundit, është një grua që befason këtë burrë që ka ushtruar dhunë dhe çdo burrë tjetër që mendon njësoj si ai.
Dhe kjo krijon një frustrim shumë të madh në komplekset e individit, pra tashmë një individ që është i kompleksuar, tashmë individ që është i mbushur me këto indoktrinime patriarkale, frustrohet akoma më tepër kur shikon një grua kaq independence që ia del, dhe që nuk është ai që ka dominuar në zgjedhjen e tij.
Unë mbaj mend në eksperiencën time disavjeçare në Gjykatën e Tiranës ku merresha me rastet e divorceve, mbaj mend që burri dhe gruaja që vinin në gjykatë për t’u divorcuar, kalonin në një lloj marrëveshje që të ishte pikërisht burri që kishte kërkuar divorcin, edhe pse realisht ishte gruaja ajo që e kishte kërkuar divorcin.
Në fund, marrëveshja që arrihej me konsensus nga të dyja palët, ishte që të paktën të ishte burri që kërkonte divorcin dhe jo gruaja. Ishte si një lloj turpi familjar që vjen gruaja e ndan burrin.
Nuk mundet tani ajo ta ndajë, sepse si do paraqitet burri përpara fisit, përpara familjes, përpara shoqërisë. Është burri që e vendos kur do bashkohen dhe kur do ndahen. Është burri që e vendos kur do kenë fëmijë dhe kur s’do kenë fëmijë, është burri që e vendos nëse ti je e aftë apo e paaftë, është burri që e vendos nëse ti do kesh djalë apo gocë.
Pra, është burri që e vendo, por në fund të ditës është gruaja që e ka fajin nëse fëmija është vajzë dhe jo djalë. Nëse diçka e keqe ndodh, faji i takon gruas, dhe nëse diçka fortësisht e mirë ndodh, është diçka që i takon burrit. Pra çdo gjë me forcë dhe me një lloj burrërie do thosha prej burracaku. Për mua kemi të bëjmë me një shoqëri të mbërthyer në këtë lloj mentaliteti, ku gruaja shihet si mjet për të arritur qëllimet e burrit dhe jo si individ i cili ka të drejtat e tij për të qenë i lirë dhe të drejtat për të qenë bashkudhëtare me bashkëshortin.
Këto janë arsyet më predominuese që janë të keqpërdorura nga shoqëria jonë dhe që përkthehet në dhunë.
Pa diskutim që shoqëria jonë, u bë mbi dy dekada, që po përjeton depresionin social, sepse ne po përjetojmë tranzicion pas tranzicioni, por pa ndërmjetësime rehabilitimi.
Ne kemi të mitur delinkuentë, familje të divorcuara, familje të dhunuara, kemi pasur tranzicione politike shumë të forta, kemi hasur shumë vështirësi për sa i përket procesit të emigrimit dhe migrimit dhe ne nuk kemi pasur asnjë proces rehabilitimi të mirëfilltë nga të gjitha këto ndryshime që shoqëria jonë ka pësuar.
Ne vijmë nga një shoqëri post komuniste dhe shoqëria jonë nuk ka përjetuar asnjë fragment rehabilitimi. Kjo do të thotë që shteti shqiptar nuk ka investuar në një shërbim social të mirëfilltë.
Po prodhohen pafund psikologë çdo vit dhe nuk ka një drejtim të mirëfilltë ku të ngrihen institucione, shërbime psikologjike për të mitur, për fëmijë, për adultë, për gra, për vajza të reja të dhunuara, për të gjitha kategoritë.
Nëse një shtet social ka shërbime të mirëfillta profesionale, me standardet e duhura që i ka gjithë bota, do të mund të kapte këto problematike dhe t’i drejtonte në një kanal deri në rehabilitimin e tyre.
Një shtet social duhet të japi ndihmën e duhur ekonomike, duhet të japi mbështetjen psiko-sociale, pse jo edhe mbështetjen për rehabilitimin e mëvonshëm të gruas, apo të fëmijëve të cilët sot i ke rrugëve.
Mos të harrojmë që një fëmijë i shëndetshëm mund të prodhojë një fëmijë të shëndetshëm, një fëmijë i dhunuar dhe i abuzuar, mendo se çfarë do të bëhet kur të rritet.
*Denata Toçe – psikologe