Policia e Shtetit ka marrë masa për evidentimin e abuzuesve shqiptarë, të cilët mashtrojnë se janë të prekur nga fenomeni i gjakmarrjes në mënyrë që të përfitojnë azil në vendet e BE-së.
Kështu, është krijuar baza e të dhënave për evidentimin e rasteve të ndodhura në vite, evidentimin e individëve dhe familjeve të prekura nga ky fenomen, evidentimin e individëve dhe shoqatave që merren me trajtimin e rasteve të pajtimeve.
Kjo bazë të dhënash do të parandalojë edhe abuzimin me kërkesat për azil, duke shkëmbyer informacion të ndërsjelltë policor me partnerët e atyre vendeve ku shtetas të ndryshëm shqiptarë përdorin këtë motiv për të kërkuar azil.
Gjatë viteve të fundit fenomeni i gjakmarrjes është keqpërdorur nga shtetas të ndryshëm shqiptarë për të përfituar statusin e azilantit në vendet e Bashkimit Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Administrimi i një baze me këto të dhëna do të shërbejë për parandalimin e kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar.