Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar për herë të parë lidhur me debatin e madh për vendosjen e një ekrani para monumentit të Skënderbeut, çështje kjo që çoi deri në kërcënimin me jetë të myftiut Gurra.
“Mesazhi i Skënderbeut është të rrimë bashkë. Duke qenë bashkë, si sot, japim mesazhin e duhur. Të gjithë u ndjemë krenare kur para pak muajsh në Paris, krerët e besimeve të Shqipërisë parakaluan dhe u duartrokitën nga gjithë civilizimi perëndimor për atë harmoni. Harmonia fetare nuk është diçka që e marrim të mirëqenë, është diçka që duhet ta kurojmë përditë”, tha sot Veliaj në ditën e përvjetorit të shenjtërimit të humanistes shqiptare.
Bashkia e Tiranës nderoi me medaljen e “Nënë Terezës” Fondacionin Alternativa e së Ardhmes (ALSAR), e cila ndihmon fëmijët jetimë, si dhe Komunitetin Papa Giovani XXIII që ka në fokus individët ne situatë rruge.
Veliaj shfrytëzoi këtë rast për t’u bërë apel të gjithë shqiptarëve që të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe jo të shpërndajnë “helm virtual” në rrjete sociale.
“Secili mund të ketë mënyrën e vet sesi adhuron perëndinë, por kjo nuk është arsye për të mbjellë ndasi, nuk është arsye për të mbjellë sherr, nuk është arsye për të hapur një debat. Përkundrazi, secili në besimin e vet te ndihet i motivuar për të shërbyer.
Thirrja që kam për të gjithë bashkëqytetarët tanë është: përpara se të harxhojmë kohën duke kontribuar në ambientin toksik me helm virtual nëpër rrjete, duke u munduar të vëmë gishtin kush e lagu dhe kush nuk e lagu, le të bëjmë atë që bëjnë organizatat si Papa Xhovani edhe ALSAR, pra të gjejmë një mundësi për të ndihmuar. E gjithë kjo energji nëse transformohet në ndihmë ndaj njerëzve në nevojë, nëse transformohet në bashkëpunim, në mirësi e bamirësi, është ndoshta mënyra më e mirë për të kapitalizuar energjinë dhe vitalitetin e popullit tonë”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku deklaroi se shqiptarët janë të destinuar të bashkëjetojnë e të bashkëpunojnë së bashku, teksa tha:
“Duhet të kemi parasysh qe të gjitha momentet e ndritura të historisë tonë kanë ardhur kur kemi qenë bashkë. Pra nëse jemi bashkë dhe nuk i nxjerrim sytë njëri-tjetrit me çështje pa vlerë, atëherë sigurisht mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme”.