Lulzim Basha duket mjaft i shqetësuar për luftën anti-kanabis.
Ai shprehet se kjo përpjekje në fokus të qeverisë “Rama 2” është fallse.
Basha nënvizon se emërimet në poste drejtuese të Gramoz Ruçit dhe Fatmir Xhafës e hedhin poshtë këtë iniciativë.
Prej kohësh, numri një i demokratëve ka zhvendosur aktivitetin e tij politik në Facebook duke zgjedhur këtë formë për të bërë opozitën e fortë që ka paralajmëruar.
POSTIMI I PLOTË
Nën trysninë ndërkombëtare dhe përpara rrezikut të ndalimit të lëvizjes së lirë dhe integrimit për shkak të krimit të organizuar dhe drogës, Rama po trumbeton një luftë fallso kundër drogës me shfaqje televizive. Marifeti është shënjestrimi i figurave të parëndësishme, ndërkohë që kokat e krimit të organizuar gëzojnë mbrojtje dhe pandëshkueshmëri.
Por çfarë e demaskon vullnetin e vërtetë politik të Ramës është emërimi i Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit dhe Fatmir Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme.
Promovimi i tyre është triumf i krimit të organizuar në politikë. Që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA Gramoz Ruçit për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.
Fatmir Xhafaj është një tjetër figurë e diskredituar, i përfshirë në mbrojtjen e të vëllait Agron Xhafaj, i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykara e Lartë e Italisë si një nga kokat e trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
Disa deputetë të tjerë të afërt të Edi Ramës në Kuvend janë gjithashtu të lidhur me krimin dhe drogën.
Mposhtja e krimit të organizuar me mbështetje dhe lidhje politike është sfida kryesore që duhet të kapërcejë Shqipëria. Kjo kërkon vetëdijësimin dhe bashkimin e të gjithë njerëzve që duan një vend normal, pa krim e drogë, me mundësi për të jetuar ndershëm.