Brukseli kërkon nga qeveria e re “Rama 2″që të fokusohet tek zbatimi i reformës ne drejtësi e në mënyrë specifike tek vetingu.
Zëdhënësja e Bashkimit Europian, Maja Koçijançiç, thekson se BE pret nga qeveria “Rama 2”, përveç zbatimit të reformës në drejtësi edhe luftën kundër drogës si dhe adresimin e çështjes se azilkërkuesve.
“Tani ne presim një qeveri të angazhuar fort për të çuar vendin përpara në rrugën e integrimit përmes përpjekjeve të qëndrueshme për reforma. Qeveria e re, veçanërisht, duhet të përqendrohet tek zbatimi i reformës në drejtësi dhe procesit të vetingut, i cili është thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Qeveria e re duhet gjithashtu të fokusohet në mënyrë më efektive në luftën kundër trafikut të drogës dhe kultivimit dhe përtej kuadrit të 5 prioriteteve kyçe, të trajtojë edhe çështjen e aplikimeve dukshëm të pabazuara për azil nga qytetarët shqiptarë në vendet anëtare të BE dhe në vendet që janë pjesë e Shengenit” tha ajo për Vizion Plus.
Rama ka paralajmëruar se ditën e diel do të shpallë qeverinë re, ndërsa nesër do të mbahet takimi me kryeministrat e Ballkanit në Durrës.
Procesi i vetingut dhe zbatimi i reformës ne drejtësi, pritet të nisë në muajin shtator e pas kësaj, Shqipëria synon hapjen e negociatave për anëtarësim ne BE, e cila duket se do të jetë një prej sfidave kryesore të qeverisë ‘Rama 2’.