Kadri Veseli, nuk do të ketë përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me partitë partnere në koalicion, në rast se kandidon për postin e kryetarit të Kuvendit. Kryetari i deritashëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, konsiderohet i papranueshëm për këtë post nga Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është e domosdoshme për vazhdimin e procedurave tjera të konstituimit të Kuvendit dhe për fillimin e fazës për formimin e Qeverisë së re.
Në mënyrë që procesi i formimit të institucioneve të mos bllokohet, si zgjidhje, Vetëvendosje dhe LDK i ofrojnë koalicionit PAN, ku bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma që të propozojnë një kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit. Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se Kadri Veseli do të dështojë nëse kandidon, për mungesë të votave. “Lëvizja Vetëvendosje do të votojë kundër Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit, por ne jemi të gatshëm që t’i shqyrtojmë edhe emrat tjerë të cilët do të mund të propozoheshin”, thotë Konjufca.
Në rast se zgjedhje e kryetarit të Kuvendit dështon, procedura mbetet aty deri në arritjen e ndonjë marrëveshje politike. Për zgjedhjen e tij, nevojitet shumica e thjeshtë prej 61 votave, por të cilat koalicioni PAN deri më tani nuk e ka dëshmuar se i ka. Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi thotë se kjo nyje, nëse krijohet, duhet të zgjidhet, ngase nuk mund të vazhdohet me procedura tjera.
“Nëse ky kandidat nuk i merr votat e mjaftueshme, pra 61 e më shumë vota, atëherë nuk mund të procedohet më tutje, duhet që të ndërpritet seanca, të shihet nëse mund të arrihen kompromise mes subjekteve politike apo të provohet me një kandidat tjetër, i cili do të ishte më i pranueshëm për shumicën e deputetëve”, sqaron Krasniqi.
Partia Demokratike e Kosovës, si subjekti më i madh në kuadër të koalicionit PAN, thotë se nuk e caktuar ende kandidatin për kryetar të Kuvendit. Por, sipas nënkryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ai mund të jetë pikërisht kryetari i partisë, Kadri Veseli.
“Është e drejtë e opozitës që të thotë se e votojë ose nuk e votojë, por z.Veseli e ka mbështetjen e PDK-së dhe të partnerëve të koalicionit. Besoj që z.Veseli do ta thotë vet fjalën përfundimtare”, ka thënë Hoxhaj.