Kreu i rizgjedhur i Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli në një konferencë për shtyp, ku falënderoi të gjithë demokratët që morën pjesë në zgjedhje.
Gjithashtu, Basha falënderoi edhe kundërshtarin e tij, Eduard Selamin, ndërsa shtoi se është i prekur nga besimi që demokratët i dhanë atij, duke premtuar se do ua kthejë këtë borxh duke punuar me dinjitet e ndershmëri.
Gjithashtu, Basha shtoi se dera e PD-së është e hapur për të gjithë ata, që mbase “humbën rrugën për një moment” , ndërsa theksoi se pushteti do u kalojë vetë anëtarëve demokratë.
FJALA E BASHËS PAS FITORES:
Afro 60 mijë anëtarë shënuan rekord në zgjedhjet 1 anëtar 1 votë. Pjesëmarrja masive është dëshmia e besimit të demokratëve te partia jonë, shenjë që ata janë të fortë dhe bashkë, por është edhe mesazh se e ardhmja e PD-së është e sigurt. Falendëroj anëtarët që morën pjesë në bashkëbisedimin e fushatës për zgjedhjen e kreut të saj në të gjitha degët.
Dua të falënderoj Eduard Selamin që i vlerësoi demokratët dhe shkoi para tyre me një projekt e ju bëri thirrje ta votojnë. Sot jam i prekur dhe thellësisht mirënjohës ndaj demokratëve, vota juaj me bën të ndihem thellësisht i përulur sepse unë i njoh vërejtjet dhe brengat e juaja ndaj meje. Vota juaj për mua është një borxh i madh, që do jua kthej duke punuar çdo çast me ndershmëri e dinjitet. Vota e 60 mijë demokratëve konfirmoi dje se kauza jonë e çlirimit të vendit nga droga është kauza e drejtë e kohës, që do shkojë para pa u ndalur.
PD është një parti e madhe, perëndimore, evropiane. Ne demokratët vërtet humbëm zgjedhjet, por jo besimin të vetja, dinjitetin, qytetarinë. Me vlerat tonë, me vendosmëri dhe punën tonë do japim kontributin e pazëvendësueshëm për të ardhmen e Shqipërisë.
Ne duhet të shohim përpara, duke u përmirësuar, demokratizuar. Dua të garantoj se PD do jetë më demokratike, duke i dhënë pushtet anëtarëve të saj, vendimmarrja do jetë në duart e anëtarëve demokratë, siç bëtë dje. Asnjë prej jush nuk do të nëpërkëmbët.
Akti i djeshëm nuk është aspak një derë e mbyllur, çdokush që vendos PD-në të parën,që zgjedh qytetarin dhe jo rehatinë personale, është i mirëpritur, është pjesë e jona, jemi të gëzuar ta kemi pranë nesh edhe nëse një moment ka humbur rrugën.
Ky projekt u konfirmua dje dhe do të vazhdojë me çdo kusht deri në përmbushje./ Tirana Today