Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama dha një mesazh në përfundim të mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, për mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.
Rama tha se LSI do të mbrojë interesin e 75% të qytetarëve që nuk e votuan Rilindjen, ndërsa shprehu keqardhjen edhe për sjelljen e KQZ, teksa ka pasur raste konkrete të vjedhjes së votës.
FJALA E LUAN RAMËS:
“Bëmë një vlerësim politik të situatës politike në vend duke e vënë theksin tek domosdoshmëria e krijimit të një fronti opozitar kundër pushtetit që dëshmoi papërgjegjshmëri para dhe gjatë procesit të zgjedhjeve, atë që LSI e ka denoncuar si proces të kriminalizuar, të dominuar nga paratë e krimit dhe drogës. Kjo është një njollë e madhe turpi për ata të verbër që s’kanë sy të shikojnë rastet skandaloze të vjedhjes së votës.
Përballë është një pushtet i dalë nga paratë e pista të krimit dhe të drogës, të cilat dominuan mbi alternativat dhe ballafaqimin e tyre. LSI si një forcë që në themelin e vet ka dhe do ketë vlerat e humanizmit, do vazhdojë të jetë me qytetarët në mbrojtje të interesit publik për të qenë realisht zëdhënëse shprese dhe mbrojtëse e interesit të më shumë se 75% të qytetarëve të këtij vendi: pra të të gjithë atyre që kanë votuar kundër Rilindjes, apo me mospjesëmarrjen e tyre kanë shprehur abstenimin ndaj mënyrës se si është qeverisur vendi.
Ne me shumë seriozitet po ristrukturojmë të gjithë skemën tonë të organizimit. Është për të ardhur keq që ajo që ne paralajmëruam po konfirmohet edhe me sjelljet e fundit në KQZ. Janë shfaqur raste konkrete të vjedhjes së votës. E gjitha kjo është një njollë e madhe turpi për procesin, edhe për ata të verbër që nuk kanë sy të shohin edhe pas dokumentimit me pamje filmike të rasteve skandaloze të vjedhjes së votës. Kryesia e emëroi në detyrën e kreut të grupit parlamentar Petrit Vasilin, duke përcaktuar edhe raportin e bashkëpunimit mes strukturave të partisë dhe grupit.”